10 Gusht 2020

RrGK dënon sjelljet ndaj kryeparlamentares Osmani

Prishtinë, 11 korrik - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Kuvendi i Kosovës është insitucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij.

Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze.

RrGK konsideron se veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. 

RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamenentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat.

RrGK edhe një herë thërret që mospajtimet në sferën politike të zgjidhen me argumente dhe debate, asnjëherë me fjalë e veprime të tilla kërcënuese, si dhe kërkon ndëshkimin e personave përgjegjës në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

"Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat."

"Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim", thekson RrGK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .