28 Mars 2024

Rinia është transformuesi i vërtetë i shoqërisë

Prishtinë, 12 gusht - “Të rinjtë janë forca e vërtetë vepruese për ndryshimet e mëdha në shoqëri”. Kështu tha sot kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, gjatë një pritjeje që u bëri përfaqësuesve të disa organizatave të të rinjve, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Ajo u tha aktivistëve rinorë të rrjetit global të të rinjve, Global Shapers Community, Hope Lipjan dhe Qendrës së Rinisë në Drenas se transformimi i vërtetë i një shoqërie nis nga edukimi i mirëfilltë i të rinjve dhe krijimi i mundësive për ushtrim të kreativitetit të tyre.

“Këto janë parakushte për realizimin e aspiratës suaj për ta transformuar shoqërinë dhe për krijimin e hapësirës së domosdoshme vepruese për ju”, u tha atyre znj. Osmani.

Krahas edukimit, kryetarja Osmani diskutoi me ta edhe për domosdonë që të rinjve t’u ofrohen më shumë shanse për të zhvilluar punë praktike në institucionet e vendit, si dhe mundësi për punë vullnetare, si periudhë kalimtare ndërmjet edukimit formal dhe tregut të punës. Kjo, sipas znj. Osmani është shumë e rëndësishme, sidomos në vendet sikur Kosova, ku shkalla e papunësisë së të rinjve është ende shumë e lartë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e të rinjve e falënderuan znj. Osmani për pritjen dhe theksuan se e shohin si tepër të rëndësishëm krijimin e urave lidhëse ndërmjet organizatave rinore dhe vendimmarrësve politikë, ngase adresimi i problemeve të të rinjve te vendimmarrësit mund ta rrisë hapësirën kreative për të rinjtë, por, po kështu ndikon ndjeshëm edhe në rritjen e besueshmërisë së tyre në institucionet e vendit.

Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që të rinjve t’u krijohen mundësi që problemet e tyre t’i adresojnë drejtpërdrejt te vendimmarrësit.

“Bashkëpunimi është jetik për rikthimin e besimit të rinisë në institucionet e vendit”, thanë përfaqësuesit e këtyre organizatave.

Sipas tyre, ndërlidhja me Kuvendin e Kosovës, si institucion përfaqësues përbën motiv për angazhimin e të rinjve në jetën e përditshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)