19 Prill 2024

Qeveria ta ridraftojë projektligjin për byronë shtetërore me rekomandimet e Venecias

Prishtinë, 7 korrik - Gjatë seancës së sotme plenare u diskutua Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por që në mungesë të kuorumit i njëjti nuk u votua.

Diskutimet shpërfaqën mungesën e theksuar të një konsensusi politik për t’a shtyrë përpara një çështje kaq të ndjeshme, siç është konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në vazhdimësi ka potencuar mungesën e efikasitetit të organeve të drejtësisë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, si dhe nivelin e ulët të konfiskimit të pasurisë së fituar kundërligjshëm nga zyrtarët publik, sidomos ata të nivelit të lartë.

Kjo problematikë është evidentuar edhe në kuadër të raporteve ndërkombëtare për Kosovën.

Duke pasur parasysh një gjendje të tillë, KDI në parim e vlerëson si të duhur dhe të nevojshëm krijimin e një mekanizmi të konfiskimit civil të pasurisë, i cili do të kontribuonte pozitivisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera që derivojnë nga shfrytëzimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Megjithatë, konsiderojmë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë projektligj.

Duhet theksuar po ashtu që Komisioni i Venecias ka evidentuar mangësi dhe probleme në pjesën më të madhe të këtij projektligji, adresimi i së cilave nënkupton ndryshim esencial të përmbajtjes së tij.

Andaj, në një situatë të tillë, vlerësojmë që është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, t’a rikthejë këtë iniciativë në pikë zero, duke e tërhequr atë fillimisht nga Kuvendi.

Tutje, Ministria e Drejtësisë duhet të themelojë një grup punues të ri dhe gjithëpërfshirës për këtë projektligj, duke u siguruar që secili prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias të reflektohet në draftin e ri.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)