29 Mars 2024

Qeveria rrit pagat e Gjykatësve dhe Prokurorëve për 100 për qind

Prishtinë, 11 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 79-tën me radhë, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar për politikat dhe veprimet e Qeverisë kundër korrupsionit -  Java e Luftës Kundër Korrupsionit, përmes rritjes së buxhetit për Institucionet e Drejtësisë prej 31 për qind apo 27.5 milionë euro.

Pagat e Gjykatësve dhe Prokurorëve janë rritur për 100 për qind, paga mesatare 2000 euro, Policisë i janë paguar të gjitha orët shtesë, dhe në ligjin e pagave kanë status të veçantë.

Është miratuar edhe pako e ligjeve në Kuvend që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, si: Kodi Penal; Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale; Ligji  për Mbrojtjen e Sinjalizuesve; Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; Ligji për Gjykatat; Ligji për Këshillin Gjyqësor; Ligji për Noterinë, Ligji për Amendamentin dhe Plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë si dhe Ligji për Amendamentimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Jo-Kontestimore, ndërsa shumë shpejt do të paraqiten edhe Kodi i Procedurës Penale; Ligji për Agjencinë Kundër-Korrupsion dhe Projektligji për Deklarimin e Pasurisë, poashtu përparim është bërë edhe në rastet e shënjestruara.

 Kryeministri Haradinaj lidhur me pakon e ligjeve të miratuara tha se kanë marrë lëvdata nga ShBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Vendimi për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me Projektligjin për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve të Lartë në Institucionet Publike dhe të të Zgjedhurve, i cili ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës të çdo zyrtari të lartë publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të sistemit komunist të ish – Jugosllavisë si dhe dhunës nga aparati shtetëror dhe strukturat e ish-shërbimeve sekrete për periudhën 1944 deri më 1999, mori miratimin e kabinetit qeveritar.

U aprovua edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores nr.02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, me të cilën propozohet të ndryshohet emërtimi i tanishëm i Ministrisë së Infrastrukturës në Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT).

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për aktivitetet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër në vlerë prej 21, 379.00 euro.

Është miratuar edhe kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës për aprovimin e shtesave për Prokurorët e Prokurorisë Speciale, të Republikës së Kosovës për vitin 2018. Për Prokurorët e Prokurorisë Speciale 400 euro në muaj dhe për Kryeprokurorin 500 euro në muaj.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Raiffeisen Bank International AG për Projektin “Ndërtimi i sistemit për furnizim me ujë të pijshëm për Komunën e Ferizajt”.

Poashtu, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG lidhur me financimin e Projektit “Ndërtimi i sistemit të kanalizimit për Komunën e Shtimes”.

Projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG si huadhënës lidhur me financimin e Projektit “Ndërtimi i Sistemit për furnizim me ujë në Komunën e Graçanicës” dhe Projektit “Ndërtimi i Sistemit të ujësjellësit për Komunën e Istogut”, kanë marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës.

U miratua edhe Udhëzimi Administrativ për Kapjen dhe Depozitimin e Dioksidit të Karbonit në Formacionet e Përshtatshme Gjeologjike, me të cilin vendoset korniza ligjore për depozitimin gjeologjik të dioksidit të karbonit (CO2) në mënyrën e sigurt për mjedisin, me qëllim të kontribuimit në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.

Qeveria aprovoi edhe Vendimin Preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i rrugës Regjionale R221, Segmenti: Osojan-Rakosh, Zonat Kadastrale: Rakosh, Kërrninë dhe Tuçep, Komuna Istog.

U miratua edhe vendimi për kursime, ndarje, transfere dhe rialokime buxhetore të organizatave buxhetore, në pajtim me Ligjin për Buxhetin.

Koncept Dokumenti për Lojërat e Fatit mori aprovimin e kabinetit qeveritar, qëllimi i të cilit synohet të realizohet përmes tri objektivave, si: sistematizimi i duhur i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me rekomandimet e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit tatimor në përgjithësi.

U miratua edhe vendimi për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë nr.08/140 të datës 05 prill 2017.

Qeveria e Kosovës poashtu ka aprovuar kërkesën e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për emërimin e Komisionit për hartimin e Projekt-rregullores për prokurimin për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kabineti Qeveritar ka aprovuar dokumentin i cili paraqet qëndrimin shtetëror të Republikës së Kosovës për Këshillin e Stabilizim Asociimit, i cili do të mbahet më 17 dhjetor 2018 në Bruksel.

Kabineti qeveritar është informuar nga ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, për sulmet kibernetike në adresë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj në fund të mbledhjes foli edhe rreth vendosjes për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për të cilën tha se kjo masë është vendosur ndaj shtetit të Serbisë dhe në asnjë mënyrë ndaj qytetarëve serbë, dhe shtoi se kjo masë nuk do të hiqet deri një njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)