23 Tetor 2020

Qeveria në mbështetje të plotë të agjendës për barazi gjinore

Prishtinë, 14 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë konsultativ, me temë “Fuqizimi ekonomik si parakusht i parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.

Në fjalën e tij para panelistëve dhe të pranishmëve, Kryeministri Hoti tha se gjendet sot para tyre për t’i garantuar të gjithë se gjatë qeverisjes së tij do të mundohen maksimalisht që të japin mbështetje të plotë në agjendën për barazi gjinore.

“Brenda zyrës tonë, brenda Zyrës së Kryeministrit promovohet dhe mbështetet fuqishëm kauza për barazi gjinore dhe jemi duke dhënë krejt mbështetjen e nevojshme që përmes rrjetit të OJQ-ve, përmes rrjetit të institucioneve ta promovojmë këtë agjendë”, tha Kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti theksoi se në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç mbështetjes që marrin të gjitha bizneset, pavarësisht a janë me pronarë gra apo burra, të kemi edhe një pako të veçantë për mbështetjen e grave në biznes edhe në shoqëri në përgjithësi, duke u fokusuar te ato gra që janë ndikuar nga pandemia.

“Po ashtu, në qeveritë e kaluara, por do ta vazhdojmë edhe tash përgatitjen  e buxhetit vjetor të shtetit që merr për bazë edhe aspektin gjinor nëpër ministri të ndryshme, kur të dizajnohen projektet dhe kur të planifikohen shpenzimet e ndryshme, do të marrim parasysh ndikimin e atyre shpenzimeve, atyre projekteve për promovimin e barazisë gjinore”, shtoi Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, për më tepër tha se kjo nuk duhet të jetë vetëm agjendë  e tryezave që organizohen mirë dhe fjalimeve të mira e prezantimeve nëpër media, por punë praktike e përditshme që duhet ta bëjmë, pasi që burrat dhe gratë në shoqëri janë komplementarë, nuk bëjnë njëri pa tjetrin.

“Në shoqëritë që ka më shumë barazi gjinore rritja ekonomike është më e madhe,  sepse në vendin e punës përgjithësisht në ekonomi, burrat dhe gratë plotësojnë më së miri njëri tjetrin”, përfundoi Kryeministri Hoti.

Ndërsa, panelistët duke e vlerësuar angazhimin e Kryeministrit Hoti, potencuan edhe mbështetjen e radhës, përkatësisht për ndarjen e fondit për barazi gjinore, si dhe uruan që një bashkëpunim i tillë të thellohet edhe më tej.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndërtesa e KQZ-së në, kati i parë, ora 10:00) 

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)