20 Prill 2024

Qeveria miraton nismat për grantet nga BERZH dhe KfW

Prishtinë, 13 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi vendimet për ndarjen e mjeteve financiare për manifestimet që do të zhvillohen për dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, ka themeluar këshillin organizativ për shënimin e Epopesë së UÇK-së dhe ka miratuar nismat e negocimit të marrëveshjeve të granteve nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën e ka vlerësuar të suksesshme. Delegacioni i Kosovës ka pasur takime të rëndësishme dhe ka marr një mesazh të fuqishëm të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do të vazhdojë përkrahja dhe mbështetja e ecjes së Kosovës përpara.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjit për statistikat zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky projektligj plotëson dhe ndryshon ligjin ekzistues dhe është në përputhje me legjislacionin evropian.

Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Rregullorja përcakton organizimin e brendshëm të ministrisë, pas riorganizimit dhe zgjerimit të përgjegjësive të saj pas konstituimit të Qeverisë në shtator të vitit 2017.

Kabineti qeveritar ka ndarë mjete financiare në shumë prej 600,000 euro (gjashtëqind mijë euro) për realizimin e programit të Këshillit Organizativ për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Këto mjete ndahen nga shpenzimet e paparashikuara dhe transferohen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kategorinë e Subvencioneve dhe Transfereve. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Financave janë të obliguara për zbatimin e këtij vendimi.

Në mbledhjen e sotme është themeluar edhe Këshilli Organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 100 mijë euro, për këtë ngjarje, e cila do të organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Raportin e pasqyrave preliminare financiare për ekzekutimin e buxhetit gjatë vitit 2017. Ky raport procedohet në Kuvendin e Kosovës për informim. Sipas Raportit, të hyrat në Buxhet gjatë vitit 2017 kanë qenë në total 1 miliard e 920 milionë euro, dhe janë për tetë për qind më të larta se viti paraprak. Shpenzimet kapin shumën 1 miliard e 835 milionë euro dhe janë më të larta për katër për qind se në vitin paraprak.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme janë aprovuar ndryshimet e tabelave të bashkëngjitura në Ligjin për Buxhetin e vitit 2018. Ndryshimet janë në funksion të përmbushjes së obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projektet kapitale shumëvjeçare. Ky vendim procedohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Janë miratuar dy nisma të Ministrisë së Financave për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të granteve me Bakën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW). Marrëveshja me BERZh-in është për financimin e ndërtimit të rrugëve rajonale ndërsa ajo me KfW për financimin e projektit për mënjanimin e ujërave të zeza në Kosovën Jugperëndimore (komunat Prizren, Gjakovë dhe Pejë)– Faza e V.

Qeveria ka emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ekrem Kastrati.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka themeluar Komitetin Drejtues Ndërministror për zhvillimin e projektit “Autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren”. 

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar, për situatën e rëndë të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga mungesa e investimeve për konservimin e objekteve të  kullave të Jasharajve. Zëvendëskryeministri Limaj ka theksuar se deri në mbledhjen e ardhshme do të analizohet situata e krijuar dhe do t’i rekomandohen Qeverisë hapat që duhet të ndërmerren në mbrojtjen e këtij kompleksi që shënon një vlerë sublime të luftës çlirimtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se sot ka marr vendimin që në vendin e quajtur të rrethi në hyrje të Prishtinës të vendoset flamuri i Kosovës. “17 shkurti është data më e madhe e Kosovës, dhe ajo do të nderohet në mënyrën më dinjitoze” ka thënë kryeministri Haradinaj dhe ka kërkuar nga të gjithë që të përmbahen nga debatet emocionale por vëmendja t’i adresohet shënimit me dinjitet të përvjetorit jubilarë të shpalljes së pavarësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)