20 Prill 2024

Qeveria miraton krijimin e Task-forcës për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit

Prishtinë, 29 janar - Shqyrtimi i programit për reformat në ekonomi, që rezulton me 20 reforma strukturore dhe të cilat mund përshpejtojnë trendin e rritjes ekonomike, Shqyrtimi i nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë për Furnizim me ujë për në Komunën e Ferizajt, që nënkupton një investim mbi 5 milionë euro në këtë fushë dhe Nisma për negocimin e Grantit me Bankën Gjermane për Zhvillim për përmirësimin e Ngrohtores së Qytetit, që nënkupton investim prej 10 milionë eurosh dhe ndikim të drejtpërdrejt në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, janë vetëm disa nga vendimet që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë sot, në mbledhjen e saj të 26-të.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit. Nga ana tjetër është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Marrëveshja  rregullon mbështetjen e projektit “Heras – Arsimi i lartë, hulumtimi dhe shkenca të aplikuara në Kosovë”.

Në mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administratës Publike. Rregullorja përcakton strukturën, organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Ministrisë së Administratës Publike dhe organeve në mbikëqyrje të kësaj ministrie. Rregullorja fuzionon Departamentin e Reformës se Administratës Publike me Departamentin e Koordinimit të Politikave dhe Integrimit Evropian në një departament.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Koncept-dokumenti për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore. Koncept dokumenti ka për qëllim të caktojë qartë të drejtën pronësore, titullarët dhe përmbajtjen e tyre si dhe rregullimin e kësaj të drejtë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian

Ka marr miratimin nga Qeveria edhe Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë për Themelimin e Këshillit Nacional për siguri dhe Shëndetin në Punë, është miratuar në mbledhjen e sotme. Vendimi plotëson vendet e zbrazëta nga zyrtarët  e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së  Shëndetësisë.

Qeveria ka emëruar Burim Rrecin në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mandat tre vjeçar. 

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i Financave është i autorizuar që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e paparashikuara” në nën programe tjera për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën 40 mijë euro, në ndarjet buxhetore për vitin 2018.

Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe nevojën e një koordinimi ndërinstitucional për tejkalimin e gjendjes në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu nga kabineti qeveritar që të shqyrtohet edhe kërkesa për gjetjen e zgjidhjes së kërkesës së klubit të “Prishtinës” për një hapësirë ku mund të ushtrojë veprimtarinë e vet sportive.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)