20 Prill 2024

Qeveria miratoi Raportin 100 ditorë dhe planin vjetor të punës për 2018

Prishtinë, 20 dhjetor - Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 20-të të radhës, në të cilën ka miratuar Raportin e punës njëqind ditore, Planin vjetor të punës së Qeverisë për vitin 2018 dhe Marrëveshjen finale për projektin “Kosova e Re”. Qeveria ka miratuar edhe tetë projektligje dhe dokumente e vendime tjera të përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ishte miratimi i Raportit 100 ditorë të punës, i cili ka evidentuar aktivitetet e  Qeverisë së Republikës së Kosovës, brenda njëqind ditëve të para të këtij kabineti qeveritar.

Në këtë njëqind ditësh janë marrë  shumë vendime që drejtpërdrejt  ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe mirëqenien e qytetarit të Kosovës. Raporti dëshmon përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të kabinetit qeveritar dhe një dinamikë e veprimit për të avancuar proceset zhvillimore në Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim janë aprovuar projektligje dhe dokumente zhvillimore dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore për ekzekutivin e vendit.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Planin vjetor të punës së Qeverisë për vitin 2018.  Plani është një përmbledhje e punës dhe aktiviteteve që Qeveria e Kosovës ka planifikuar të zhvillojë gjatë vitit vijues 2018. Plani gjithashtu është instrumenti kryesor për zbatimin e prioriteteve të Qeverisë për vitin 2018.

Me rekomandimin e Komitetit drejtues për projektin “Kosova e Re”, Qeveria e Kosovës ka aprovuar kontratat komerciale për Termocentralin “Kosova e Re”. Vendimi obligon Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Drejtues të Projektit për nënshkrim të kontratës.

Me qëllim të përmirësimit të pozitës materiale të disa kategorive të të punësuarve me përgjegjësi dhe angazhime të veçanta në Qeverinë e Kosovës, në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ngritjen e pagave të tyre.

Projektligji i parë që ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ka qenë Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për të huajt. Projektligji trajton çështjet kryesore dhe rregullon  kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të huaj me qëllim të punësimit apo punëtorit sezonal në vendin tonë. Projektligji adreson edhe afatet e lejuara  të qëndrimit të të huajve me këtë  qëllim në vendin tonë.

Projektligji për shërbimin gjeologjik të Kosovës ka qenë projektligji i dytë që ka marr miratimin në mbledhjen e sotme. Ky projektligj përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e shërbimit gjeologjik të Kosovës, duke përfshirë veprimtarinë në fushën e shkencave gjeologjike në territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për masat mbrojtëse në importe . Ky projektligj rregullon parimet dhe procedurat për marrjen e masave mbrojtëse në rastet kur një produkt importohet në Republikën e Kosovës në sasi të rritur dhe shkakton dëm apo kërcënon një dëm serioz të prodhuesve vendor që prodhojnë mallra të ngjashme ose identike dhe që janë drejtpërdrejtë konkurruese.

Është miratuar edhe Projektligji për gjak dhe përbërësit e gjakut. Me këtë projektligj rregullohet furnizimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës me gjak dhe përbërës të gjakut. Projektligji garanton të drejtën e barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për trajtim transfuzionologjik, vetëmjaftueshmërinë me gjak dhe përbërës të gjakut, veprimtarinë transfuzive si fushë me interes të veçantë nacional, kushtet dhe standardet e cilësisë dhe sigurisë, me qëllim të mbrojtjes shëndetësore të qytetarëve, mënyrën e mbikëqyrjes së institucioneve që ushtrojnë aktivitete dhe veprimtari transfuzive, nxitjen e përdorimit racional të gjakut dhe përbërësve të gjakut përmes praktikës së mirë klinike dhe nxitjen e  zhvillimit të mjekësisë transfuzive.

Projektligj për lirinë e asocimit në organizata joqeveritare gjithashtu ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji përcakton rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, pezullimin, shuarjen,  ndalimin e veprimit dhe  çregjistrimin  e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës.

Është shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme edhe Projektligji për inovacione shkencore dhe transferim të dijes dhe teknologjisë.

Ka marr miratimin e kabinetit qeveritar edhe Projektligji për shërbimet postare. Ky projektligj vendosë rregullat për sigurimin e ofrimit të shërbimit postar dhe shërbimit universal postar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Projektligji përcakton kushtet për qasje në rrjetin postar, nxitjen e konkurrencës së lirë, përcaktimin e parimeve për tarifat dhe transparencën e llogarive të ofrimit të shërbimeve universale postare. Projektligji përcakton edhe standardet për shërbimin postar dhe vendosjen e një sistemi për të siguruar pajtueshmëri me këto standarde. 

I fundit që ka marr miratimin e kabinetit qeveritar ka qenë Projektligji për meteorologji, i cili rregullon sistemin e njësive matëse, etalonët për matje, procedurat e vlerësimit të konformitetit të mjeteve matëse. Projektligji rregullon edhe kërkesat meteorologjike për produktet, autorizimet në fushën e meteorologjisë, mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurisë së përgjithshme nga rezultatet e pasakta të matjeve.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar vendimin për shpërndarje të pakove ushqimore dhe higjienike në lagjet e banuara nga komuniteti ashkali në komunat: Ferizaj, Lipjan, Shtime, Prishtinë, Podujevë, Suharekë, Prizren, Fushë Kosovë. Përfitues do të jenë 1000 (një mijë) familje të këtij komuniteti.

Qeveria ka miratuar Rregulloren për mirënjohje dhe shpërblime në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Me këtë Rregullore përcaktohet mënyra dhe procedura e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve të pjesëmarrësve në mbrojtjen dhe shpëtimin nga fatkeqësitë natyrore dhe të cilët dëshmojnë merita të veçanta të zhvillimit të mbrojtjes, përkushtimit personal në zbatimin e mbrojtjes dhe shpëtimit të qytetarëve dhe të mirave materiale.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Rregullorja për shërbimin e atasheve të mbrojtjes, e cila përcakton statusin, detyrat dhe përgjegjësitë e Atasheut të Mbrojtjes të akredituar në misionin diplomatik të Republikës së Kosovës.

Është miratuar në mbledhjen e sotme Strategjia shtetërore e ujërave në Kosovë 2017-2036. Strategjia siguron kornizën për adresim efektiv dhe të qëndrueshëm të çështjeve kryesore në sektorin e ujërave në Kosovë  të bazuar në parimet ndërkombëtare për shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve ujore.

Dokumenti paraqet bazën për menaxhimin e integruar të ujërave që do të arrihen përmes realizimit të objektivave kryesore.

Me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishte në lidhje me tatimet e të ardhurave deh të parandalimit të evazionit fiskal deh shmangies së tatimeve.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për Shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun. Ky Koncept Dokument do të sigurojë bazën për përmirësimin e shërbimit të komunikimit qeveritar në përgjithësi, me theks në komunikimin e politikave në Kosovë, përmes zhvillimit të kapaciteteve, ndryshimit të rregullave, projektimit dhe zbatimit të praktikave të reja potenciale të punës, e të tjera.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit në Kosovë - Plani i hershëm indikativ i punës.  Ky koncept dokument ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e procesit të zhvillimit të politikave dhe legjislacionit, koordinimit dhe monitorimit në Kosovë.

Përgatitja e këtij koncept-dokumenti është paraparë edhe në “Strategjinë për Rregullim më të Mirë”, ku theksohet se Zyra e Kryeministrit duhet të përgatisë Planin e Hershëm Indikativ të Punës.

Është miratuar edhe Udhëzuesi për Hartimin e Koncept Dokumenteve. Qëllimi i këtij udhëzuesi është  që të  shpjegojë  kërkesat që duhet të zbatohen gjatë hartimit të Koncept Dokumenteve bazuar në Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Udhëzuesi tregon se si Koncept Dokumentet, duhet të plotësohen për miratim nga Qeveria, pas përfundimit të analizave dhe konsultimit me palët e interesuara.

Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Koncept-dokumentin për fushën e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe për deklarimin e pasurisë.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe Koncept-dokumenti për përafrimin e kornizës ligjore vendore për sanksionet ndërkombëtare me qëllim të harmonizimit me standardet ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së Bankave të Kosovës për të drejtën e bartjes së qira mbajtjes për 99 vite.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për anulimin  e vendimit përfundimtar të datës 30 gusht 2017 për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e Korporatës Energjetike te Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje është revokuar vendimi i Qeverisë i datës 22.01.2016, që ndërlidhet me shpalljen Zonë e Veçantë e Mbrojtur hapësira prej 4.280 ha, e emërtuar si “Zona e Gadimes”, e cila shtrihet në Komunën e Lipjanit. 

Është miratuar në mbledhje vendimi për miratimin e nismës për marrëveshje ndërkombëtare të Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI), për financimin e projektit për autostradën Kijevë – Zahaq.

Është aprovuar edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrim të Marrëveshjeve të veçanta të kredisë me bankën gjermane për zhvillim (KfW) për financimin e projektit për përmirësimin e rrjetit të transmisionit, për fazën VI dhe VII.

Qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e kërkesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konformitetin e interesit të përgjithshëm të shfrytëzimit të resurseve minerale nga Trepça sh.a. Vendimi miratohet me qëllim të krijimit të bazës juridike për lëshimin e licencës nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, konform Ligjit për Miniera dhe Minerale, për ushtrimin e aktiviteteve të saj në interes të përgjithshëm publik, duke pasur për bazë aspektin ekonomik e social të zhvillimit të Trepçës.

Edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Radoniqi sh.a. në Gjakovë ka ndryshuar emrin në Kompania Rajonale e Ujësjellësit Gjakova sh.a. në Gjakovë, me vendimin e miratuar  sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Raportin vjetor të performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2015 dhe 2016. Raporti do të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është themeluar edhe Komisioni Ndërministror për kthimin dhe çështjet e komuniteteve. Komisioni do të ketë mandatin për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhin me procesin e kthimit të personave të zhvendosur dhe stabilizimin e komuniteteve, si dhe të krijojë një koordinim më të mirë institucional në punën dhe zbatimin e vendimeve. Komisioni kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq,  dhe përbëhet nga ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)