28 Mars 2024

Qeveria miratoi Projektligjin për Prishtinën

Prishtinë, 6 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e saj të shtatë të rregullt në të cilën ka aprovuar Projektligjin per Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2017-2026, një varg nismash për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe vendime tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti Qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, i cili rregullon funksionimin dhe statusin juridik të kryeqytetit.

Kryeqyteti përkufizohet territorialisht ashtu siç është përkufizuar territori i Komunës së Prishtinës me Ligjin për ndarjen administrative të komunave në Republikën e Kosovës. Dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale zbatohen edhe në kryeqytet vetëm në rastet kur kjo është e rregulluar ndryshe në Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Strategjia e Energjisë në Republikën e Kosovës 2017-2026. Kjo strategji përcakton objektivat themelore të Qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë duke marrë për bazë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ruajtjen e mjedisit, furnizimin e sigurt dhe cilësorë të konsumatorëve dhe shfrytëzimin efiçient të energjisë.

Në strategji janë evidentuar edhe objektivat për zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese konvencionale dhe të ripërtëritshme, krijimin e tregut konkurrues, zhvillimin e sistemit të gazit natyror dhe krijimin e vendeve të reja të punës që ndërlidhen me sektorin e energjisë.

Strategjia vazhdon mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me termocentralin “Kosova e Re” si dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë së ripërtëritshme.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovim të kërkesës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit të përgjithshëm për shfrytëzimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A (KEK).

Konfirmimi i interesit të përgjithshëm bëhet me qëllim të krijimit të bazës juridike për lëshimin e licencës nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, konform Ligjit për Minierat dhe Mineralet, Korporatës Energjetike të Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve përkatëse të saj në interes të përgjithshëm publik.

Qeveria ka miratuar Koncept dokumentin për ndërmarrjet publike.

Qëllimi i koncept-dokumentit është përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike dhe rritja e vlerës së aseteve.

Gjithashtu synohet ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët. Në koncept-dokument trajtohet harmonizimi dhe zbatimi i parimeve themelore të qeverisjes së korporatave siç janë korniza e pronësisë, mekanizmi efektiv i mbikëqyrjes, funksionimi i bordeve, raportimi, fuqizimi i rolit të aksionarit, auditimi financiar, menaxhimi i riskut, transparenca dhe llogaridhënia, marrëdhënia me aksionarët, që janë parakushte për realizimin e objektivave të ndërmarrjeve publike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për themelimin e komisionit  ndërministror për ndërmarrjet publike në përbërje të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Ministrit të Financave, Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ministrit të Infrastrukturës dhe Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për nismën e negocimit për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për kredi në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kredia është e dedikuar për financimin e projektit për autostradën Kijevë – Zahaq. Vendimi obligon Ministrinë e Financave që në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare të negociojë këtë marrëveshje.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe të strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të reformës së administratës publike.

Këshilli i Ministrave të Reformës së Administratës Publike ka këtë përbërje:

    Ministri i Administratës Publike
    Ministri i Financave
    Ministri i Integrimeve Evropiane
    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal
    Ministri i Tregtisë dhe Industrisë
    Ministri i Drejtësisë , dhe
    Këshilltarë i Kryeministrit.

Me qëllim të përmbushjes së kontributit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, Qeveria ka ndarë 40 mijë euro. Republika e Kosovës bënë pjesë  në grupin prej 4% të shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore, të përcaktuar  në takimin e tryezës Rajonale të Paktit të Stabilitetit në Bukuresht, në nëntor të vitit 2006.

Është miratuar edhe vendimi për miratimin e nismës për marrëveshje ndërkombëtare për bashkëpunim teknik në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë, për fonde shtesë për vitin 2017.

Edhe vendimi për miratimin e nismës për  negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë, të përfaqësuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, për rritjen e kapitalit të garancisë së Fondit Kosovar për garanci kreditore në vlerë 5,45 milion euro, është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Edhe nisma për marrëveshjen ndërkombëtare për negocimin  e marrëveshjes së grantit për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, është miratuar në mbledhjen e sotme. Marrëveshja është në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe nisma për marrëveshjen ndërkombëtare për rritjen kapitalit të garancisë së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në vlerë prej 2 milionë euro. Marrëveshja është nënshkruar me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).

Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të liruar nga akciza të gjithë prodhuesit që importojnë për lëndë të parë për të gjitha burimet e energjisë të cilat përdoren për qëllime të prodhimit.

Janë liruar nga tatimi doganor, me kërkesë të Ministrisë së Financave, të gjithë prodhuesit që importojnë për lëndët e para që përdorën më proces të prodhimit, gjysmë produktet të cilat përdoren në proces të prodhimit, linjat e makinerive prodhuese dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për miratimin e “Konventës ndërkombëtare mbi thjeshtëzimin dhe harmonizimin  e procedurave doganore” dhe “Konventa ndërkombëtare mbi harmonizimin e përshkrimit të mallrave dhe sistemit të kodimit”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për formimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është obliguar Ministria e Punëve të Jashtme që të përmbushë të gjtiha obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare apo memorandumet ndërkombëtare të mirëkuptimit të nënshkruara deri tani. Ministria e Punëve të Jashtme duhet t’i shqyrtojë dhe vlerësojë ato.

Ministri i Drejtësisë ka informuar anëtarët  e kabinetit qeveritar për procesin e funksionalizimit të gjykatave në katër komunat në veri të Kosovës ndërsa ministri i financave për procesin e bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)