19 Prill 2024

Qeveria me rendësi po i jep bisedimeve me Serbinë se sa menaxhimit të pandemisë

Prishtinë, 5 Gusht - Aktualisht Kosova, krahasuar për kokë banori është në majat botërore për kah numri i të infektuarve dhe atyre që përfundojnë me fatalitet.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) konsideron se në vend se të kemi mobilizim të përgjithshëm për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës e cila dita- ditës po përkeqësohet, inatet politike dhe përpjekjet për promovime dhe përfitima politike po ndikojnë dhe po e ndihmojnë përshkallëzimin e situatës.

KMDLNJ vlereson se në të gjitha mënyrat po pengohet votimi i Ligjit për pandeminë, nuk ka gjë prej premtimit për programin për rimëkëmbje të ekomomisë në kohën kur shumica e bizneseve janë para ose të falimentuara.

"Shëndetësia, më parë shumë e lëvdëruar, tash e kritikuar dhe jo mjaftueshëm e përkrahur nga shteti po i kalon vuajtjet e Tantalit dhe është buzë kolapsit përkundër përpjekjeve dhe sakrificave titanike të punëtorëve shëndetësor. "

"Frika dhe apatia janë bërë shenjë dalluese e shumë qytetarëve të Kosovës. Po në këtë kohë kur po mendohet ekskluzivisht për mbijetesë, dikujt i është kujtuar ta ringjallë një koordinator për bisedine me Serbinë , sipas modelit dhe vullnetit të Borellit dhe Lajçakut, mohues të shtetit të Kosovës dhe shumë të afërt me Serbinë", thekson KMDLNJ.

Qetësuesi thuaja i vetëm dhe mashtruesi kryesor për qytetarët e Kosovës, liberalizimi i vizave ka mbetur vetëm ëndërr , së paku deri më tani.

KMDLNJ konsideron se koordinatori për bisedime, i riinkarnuar, përveç ambicieve dhe premtimeve të mëdha për ta vendosur mbi kokë dafinën e fitores në këto bisedime, asgjë konkrete nuk ka ofruar dhe për asgjë nuk po i informon qytetarët e Kosovës sikur të vendosej për ardhmërinë e Tibetit e jo të Kosovës.

"Madje, i mbështjellur me një jotransparencë të madhe e bënë tërë këtë proces të dyshimtë , jo të besueshëm dhe me mundësi të përfundimit të keq për Kosovën."

"Kosova ka qenë e lodhur me 6 pikat e Ban ki Munit për t'i përballuar 9 pikat e Lajçakut dhe Borellit të cilat nuk premtojnë asnjë të mirë për Kosovën përveç se hapin rrugë Serbisë për integrime në BE-e në kohën kur Kosova është krejtësisht e izoluar", thekson KMDLNJ.

Pa nje konsesus të domosdoshëm politik, të pozitës dhe opozitës, nuk mund të vazhdohet me bisedime të improvizuara , siç po veprohet tani.

Nëse koordinatori Skender Hyseni nuk e ka përkrahjen e opozitës dhe subjektit i cili e ka caktuar në këtë pozitë, pa e marrë miratimin e spektrit të gjerë politik, atëhere nuk ka asnjë arsye të bëjë shpenzime të panevojshme. Ato mjete të shpenzuara krejtësisht koti, le të përdoren në luftë kundër pandemisë.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ruajtje dhe mbrojtje të shëndetit , skajshmërisht të rrezikuar, për një gjendje ekonomike të përmirësuar dhe të qëndrueshme, kthim në shkolla dhe normalizim të jetës e jo për bisedime të improvizuara, të dëmshme dhe të panevojshme për këtë kohë e që po bëhen për të siguruar një mbijetesë politike apo për t'u rikthyer nga arkivat e mbuluar me pluhur.

Të drejtat e njeriut nuk sigurohen e as nuk mbrohen përmes këtyre bisedimeve të ricikluara por përmes forcimit të institucioneve dhe ligjit që do të ishin vendimtarë për menaxhimin dhe tejkalimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19.

Prandaj, KMDLNj ju thërret të lini improvizimet dhe ambiciet personale, politike dhe partiake e të merreni me probleme reale me të cilën po përballen qytetarët e Kosovës dhe për të cilin edhe keni mandat! Deri më tani keni dështuar në përmbushjen e këtij mandati. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)