24 Prill 2024

Qeveria mbajti mbledhje solemne në nderim te kongresistit Eliot Engel

Prishtinë, 20 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur mbledhje solemne, në të cilën kongresisti amerikan Eliot Engel i është adresuar kabinetit qeverisës me fjalë rasti.

Fillimisht kryeministri Haradinaj i ka dëshiruar mirëseardhje dhe ka njohur kabinetin qeveritar me angazhimet e Eliot Engel për Kosovën dhe me angazhimin e kabinetit të tij qeverisës për të avancuar dhe zhvilluar vendin.

“Kongresisti Engel ka qenë mbështetës kryesor i Kosovës që kur ka hyrë në Kongres në vitin 1989. Kongresisti nënshkroi rezolutën, për shprehjen e mbështetjes për Presidentin Rugova në fillim të viteve ’90. Kosovën e vizitoi për herë të parë në vitin 1993. Eliot Engel nënshkroi legjislacionin, që do të lejonte hapjen e zyrës së parë të USAID-it në Prishtinë, zyra e parë e SHBA-së në Kosovës, në vitin 1995. Shumë e quajtën ambasadë jozyrtare të SHBA-së për Kosovën", ka theksuar Haradinaj

Në vitin 1996, kongresisti Engel qëndroi në Maqedoni, në kufirin e Kosovës, duke u përpjekur që të hynte si vëzhgues i zgjedhjeve.

Ai pati thënë: “Unë u përpoqa të shkoj në Kosovë dhe Millosheviqi nuk më lejoi të hyja, por unë kam lajme për të, do të jetë një Kosovë e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojmë të vazhdojë kështu”.

Në vitin 1998, kongresisti Engel udhëtoi në Rambuje të Francës për të mbështetur ekipin negociator të Kosovës në përpjekjet e tyre për të parandaluar luftën dhe që Kosova të bëhej e lirë.

Haradinaj ka theksuar se pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, kongresisti Engel erdhi në Kosovë për të parë atë, ku u gjet në mes të shtëpive të djegura, mijëra familje duke u përpjekur të rindërtojnë jetën e tyre.

Në dhjetor të vitit 2000, Eliot Engel shkroi një ndryshim thelbësor në aktin e autorizimit të inteligjencës, i cili drejtoi Agjencinë kryesore të zbulimit, për të shkruar një raport publik mbi UÇK-në, në përgjigjet e sulmeve ndaj UÇK-së.

"Raporti i vitit 2001 zbuloi se UÇK-ja nuk po angazhohej në terrorizëm apo drogë, duke pasuruar UÇK-në dhe akuzat mbi të. Pas pavarësisë së Kosovës, kongresisti Engel u përpoq ta qonte Kosovën në MCC. Angazhimi i kongresisti Engel për Kosovën nuk ndalet me kaq, është i shumtë. E kemi nderin që sot jemi bashkë", shtoi me tutje kryeministri.
 
Kryeministri i ka dorëzuar simbolikisht plaketën e argjendtë, plaketë e cila ka të bëjë me një vulë të vendosur nga Posta e Kosovës, e cila i dedikohet kongresistit me të cilën e nderon Posta dhe Qeveria.

Kongresisti Eliot Engel në adresimin e tij para kabinetit qeveritar ka thënë Kosova po ndërton shoqërinë e vet shumetnike dhe beson që ky vend do ta bëjë atë që asnjë vend tjetër në Ballkan nuk e ka bërë.

"Do të punojmë bashkërisht për sundimin e ligjit, për demokracinë dhe jam i bindur se kjo do të arrihet. Ndihem mirë për gjithë këtë përparim që e kemi bërë së bashku. E kam thënë gjithmonë, që Kosova do të jetë komb i lirë dhe i pavarur, pavarësisht zërave skeptikë për këtë. Gjithmonë do ta keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

"Askush nuk është më krenar për bashkëpunimin me SHBA-të sesa kosovarët dhe ata e kuptojnë që kjo është shtylla e demokracisë që edhe ju këtu e keni. Dje isha dëshmitar i procesit të votimeve dhe ka qenë e mrekullueshme pas gjithë atyre presioneve të viteve të fundit", ka theksuar Engel.

Ai ka shtuar se Kosova do ta ketë gjithmonë mbështetjen e tij në çdo hap, që të siguroj që partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mbetet i fuqishëm.

"E di që një ditë do ta festojmë edhe hyrjen e Kosovës në Bashkim Evropian dhe NATO. Ky është qëllimi që kemi tash për të ardhmen e Kosovës. Ju mund të llogaritni gjithmonë në mua si mikun tuaj. Kur unë takohem me ministra të vendeve të ndryshme në zyrën time, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur Kosovën, gjithmonë ua them se kur do ta bëjnë një gjë të tillë."

"Nuk do të ndalemi derisa të gjithë të kuptojnë që Kosova është vend i rëndësishëm në Ballkan dhe është faktor stabilizues i tij, është mike e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar në fund Engel.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)