31 Maj 2020

Qeveria e re t’i hap rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian

Prishtinë, 15 tetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, së bashku me anëtaret e Kryesisë së Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci dhe znj. Fitore Pacolli, mirëpritën Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Natalya Apostolova të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj.

Znj. Apostolova uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokal, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt.

"Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit", ka theksuar Apostolova.

Kryetari Kurti e falënderoi znj. Apostolova për vizitën dhe gjithashtu shprehi shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit.

Nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal.

Kryetari Kurti përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane.

 Kurti po ashtu tregoi se e ka mirëpretur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në: 1) zhvillimin ekonomik dhe social, 2) sundimin e ligjit, 3) zbatimin e MSA-së dhe 4) çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për komunikim të rregullt e bashkëpunim të mëtejmë.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Maj 2020

- Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia e Partisë Demokratike të Kosovës, ora 16:00)