25 Prill 2024

Qeveria e Kosovës mohon akuzat për krime gjatë luftës

Prishtinë, 15 dhjetor - Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë duke i quajtur "qesharake dhe njollosëse" akuzat se kryeministri Hashim Thaçi dikur ka drejtuar një rrjet të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë.

Këto akuza bëhen në një raport nga raporteri i Këshilit të Evropës, Dick Marty.

Raporti pretendon se kjo tregëti ka filluar kur zoti Thaçi ishte udhëheqës politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteteve 1990.

Raporti thotë se ka prova se disa të burgosur nga UÇK-ja, përfshirë serbë, ishin vrarë para se t'i merreshin organet dhe t'u shiteshin blerësve të huaj.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar raportin si “një vazhdimësi të raporteve që janë publikuar, siç thotë, në 12 vitet e fundit dhe që sipas saj, “kanë pasur për qëllim të njollosin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Në deklaratën e qeverisë thuhet se “pretendimet e botuara në gazetën britanike “The Guardian” janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare dhe në të gjitha rastet është konstatuar se deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së UCK-së”.

Qeveria e Kosovës, në deklaratën e saj thotë se “dikush dëshiron që ta pengojë kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare” dhe, sipas saj, “veprimet e tilla të ulta e bizarre nga, siç thuhet, njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dick Marty, që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë”, thuhet në deklaratën e qeverisë në Prishtinë.

Sipas saj “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike”.

Në reagimin e qeverisë thuhet se ajo “u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës”.

Vitin e kaluar, Këshilli i Evropës emëroi zotin Dick Marty si të dërguar të tij për të hetuar pretendimet se “kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj kanë trafikuar organet e tyre.

Senatori zviceran Dick Marty, në janar të këtij viti ka qëndruar në Kosovë ndërsa vitin e kaluar kishte zhvilluar hetime edhe në Shqipëri.

Pohimet për trafikim të organeve njerëzore fillimisht u ngritën nga ish- kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008.

Pas kësaj një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë, por edhe ato në Tiranë, kundërshtuan fuqishëm pohimet, duke kërkuar hetime të paanshme.

Raporti i Dick Marty-t pritet që të diskutohet në Komitetin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut në Paris ditën e enjte.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)