19 Mars 2024

Punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore

Prishtinë, 26 janar - Sot, Instituti GAP dhe Kosovo 2,0 organizuan një diskutim virtual mbi temën "Rekrutimi i bazuar në (jo) meritë në institucionet publike: a do ta ndryshojnë institucionet e reja rrethin vicioz në rreth të virtytshëm"?

 Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Angazhimi qytetar”.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat kryesore të raportit ‘Rekrutimet jomeritore në institucionet publike’.

Ai tha se dukuria e nepotizmit ka ndikuar direkt në uljen e besimit të qytetarëve në proceset e punësimit.

 Sipas anketës ‘Pulsi Publik’, vetëm 19.5% e të anketuarve konsiderojnë se punësimi në sektorin publik bëhet në baza meritore dhe se 80.7% mendojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në baza meritore.

Sipas të anketuarve, faktorët kryesorë jo meritorë për t’u punësuar në sektorin publik janë: lidhjet familjare (30.8%), lidhja partiake (30.4%), ryshfeti (13.8%), miqtë dhe, në një masë më të vogël, pamja fizike.

Vetëm 19.5% besojnë se arsimi, aftësimi profesional dhe përvoja profesionale janë faktorë të rëndësishëm për t’u punësuar në sektorin publik.

E ndër vendet më atraktive janë pozitat nëpër borde të kompanive publike, ku për shkak të të ardhurave të larta mujore, përgjegjësisë së shpërndarë dhe llogaridhënies minimale ndaj publikut, për partitë në pushtet, bordet janë parë më shumë si mundësi punësimi për anëtarët e partisë dhe familjarët tyre, se sa si një menakizëm për menaxhimin e duhur të atyre ndërmarrjeje.

Në anën tjetër, Luigi Brusa, shef i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian, theksoi se kualiteti i burimeve njerëzore nuk është mjaft i mirë në administratën publike në Kosovë.

Sipas tij, kjo mund të ndikojë edhe në sigurimin e projekteve të IPA 3, ku tashmë ato ndahen në bazë të projekteve më të mira dhe në bazë të përformancave më të mira.

Ai përmendi se zyra e Bashkimit Evropian ka ofruar ndihmë për krijimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por institucionet e Kosovës po dështojnë të zgjedhin një komisioner/e.

Panelisti tjetër, Agim Maraj, zyrtar i ofrimit të politikave në qeverisje të mirë dhe kundër-korrupsion në Ambasadën Britanike në Prishtinë, tha se projekti i Ambasadës Britanike ka pasur një ndikim pozitiv jo vetëm në rekrutimin meritor në disa pozita të rëndësishme të nivelit të lartë drejtues, por edhe në krijimin e një kulture të re të monitorimit të rekrutimit, duke rritur dukshëm numrin dhe kualitetin e aplikimeve si dhe nivelin e transparencës së procesit të selektimit.

Ai falenderoi shoqërinë civile e cila ka qenë e zëshmë në këtë aspekt dhe njëkohësisht inkurajoi profesionistët, sidomos gratë që të marrin pjesë në rekrutime, duke shtuar se Ambasada Britanike do ta vazhdojë projektin edhe për tri vite duke bërë që lista e pozitave rekrutuese të rritet edhe më shumë.

Në fund, z. Visar Prebreza, redaktor menaxhues në BIRN Kosova, tregoi përvojën e organizatës në procesin e monitorimit të proceseve rekrutuese në institucionet publike. Sipas tij, punësimet mbi baza të lidhjeve familjare dhe partiake ndodhin edhe në nivelin lokal.

 Ai shpalosi edhe gjetjet e hulumtimit të fundit të kryer nga BIRN Kosova me titull ‘Partitë e punësimeve’.

Edhe ai theksoi se përfshirja e Ambasadës Britanike në këtë proces ka rritur nivelin e transparencës dhe bëri thirrje që edhe institucionet tjera ndërkombëtare të angazhohen në këto procese.

Në përfundimet e diskutimit u tha se luftimi i nepotizimit mbi të gjitha kërkon vullnet politik si dhe u theksua se nevoja e përfshirjes së institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave  në monitorimin e proceseve të rekrutimit është shumë e rëndësishme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)