25 Prill 2024

Projektligjit për Avokatin e Popullit, të riformulohen disa nene

Prishtinë, 16 prill - Në kuadër të diskutimeve dhe angazhimeve për nxjerrjen e një ligji sa më të mirë dhe funksional për Avokatin e Popullit, Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka organizuar sot një tryezë të rrumbullakët, e cila u mbajt në lokalet e Villa Gërmisë.  


Në këtë tryezë, të udhëhequr nga kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, përveç  anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, si: Zyrës së Presidentit, të Zyrës së Kryeministrit, të Ministrisë së Drejtësisë, të Avokatit të Popullit, EULEX-it, Qendrës për të Drejtat e Njeriut, Qendrës për Politika dhe Avokim, Lëvizjes FOL etj. 

Kryetari i grupit punues, Bajram Kosumi, shfaqi qëndrimin e Komisionit që Ligji për Avokatin e Popullit ta përcaktojë këtë institucion si autoritet të çmueshëm në Kosovë, duke pasur parasysh misionin e tij – mbrojtjen e interesave të qytetarëve nga shkeljet e mundshme. 

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, duke u shprehur i kënaqur nga debati në leximin e parë në Kuvend të këtij projektligji, potencoi interesimin e institucionit që ai udhëheq, për nxjerrjen e një ligji i cili do ta rregullonte çështjen e tij. Në vazhdim, Kurteshi, si dhe përfaqësuesi tjetër i këtij institucioni, Hilmi Jashari, dhanë një sërë sugjerimesh për përmbajtjen e projektligjit.

Në këtë linjë, deputeti Hydajet Hyseni shtroi një varg çështjesh, ndërsa potencoi nevojën e saktësimit në çështjen e pamundësisë së zgjedhjes në krye të këtij institucioni të kryesve të veprave penale, duke kërkuar që të mos përfshihen në këtë kategori ish të burgosurit politikë. 

Diskutuesit e tjerë të kësaj tryeze, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare, dhanë sugjerimet e tyre për riformulim të disa neneve të këtij projektligji, ndërsa u fokusuan në rolin e zëvendësve të Avokatit të Popullit dhe të përfundimit të mandatit të tyre, të mosdiskriminimit e të pagave, të kufizimeve për Avokatin e Popullit në kryerjen e funksioneve të tjera jashtë atij institucioni, të hetimeve të mundshme nga ana e tij për çështje të caktuara e të inicimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese, të krijimit të zyrave rajonale etj. 

Një pikë tjetër diskutimi ishte ajo e emërtimit të këtij institucioni. Disa diskutues propozuan që ky institucion të quhet Ombudsperson, ndërkaq që u konstatua se emërtimi është i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me termin Avokat i Popullit. 

Duke bërë një përmbledhje të diskutimeve në këtë tryezë, kryetari Bahri Hyseni, potencoi çështjet kryesore që shtruan të pranishmit, të cilat komisioni që ai udhëheq do t’i ketë parasysh gjatë diskutimeve të mëtejme, si: mandatin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij, ruajtjen e pavarësisë së tij edhe në aspektin financiar, të Komisionit parlamentar i cili do të merret në vazhdimësi me këtë institucion, të veprave penale dhe çështjes së ish të burgosurve politikë, etj. 


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)