30 Shtator 2022

Presidentja Osmani u prit nga presidenti i Panamasë Laurentino Cortizo

Panama, 5 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo, për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.

Në takim me Presidentin Cortizo, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.

Presidentja ka falënderuar Presidentin Cortizo për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror.

“Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë” , theksoi Presidentja Osmani gjatë takimit.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Cortizo gjithashtu kanë diskutuar për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën e ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës edhe më tutje në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Gjithashtu, Presidentja përmendi edhe potencialin për investime të huaja në Kosovë, si mundësi e mirë e shkëmbimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Gjatë vizitës zyrtare në Panama, Presidentja Osmani është duke realizuar takime me udhëheqës të lartë shtetëror, komunitetin e biznesit, ndërmarrës si dhe ka marrë pjesë në disa iniciativa të ndryshme kulturore.

Presidentja Osmani gjithashtu do të përurojë shtatoren e Shën Terezës në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 shtator 2022

- Në Ditën Ndërkombëtare e Personave të Moshuar UNFPA prezanton të dhenat kyqe dhe opsionet e dala nga anketa për izolimin social tek personat e moshuar në Kosovë. (Hotel International Prishtina, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 219-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Hekuran Murati, Minister i Financave, Punës dhe Transfereve dhe interviston Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Balkan Green Foundation me mbështjetje të Heinrich Böll Stiftung mban konferencë për media, në të cilën do të prezentohet hulumtimi: “Kriza Energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”. (Zyret e Balkan Green Foundation afër Librarisë Koha në Prishtinë, ora 12:00)

- Nën organizimin e organizatës gjermane GIZ, kryetarët e komunave të regjionit të Gjilanit nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi. (Hotel Astoria në Gjilan, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redžepi, marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:30)

- Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të qëndrojë në Kosovë ku mbajë edhe një konferencë për media. (Selia e Federatës së Futbollit, ora 15:00)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, përfaqësues të Federatës së Xhudos të Kosovës marrin pjesë në ceremoninë e lansimit të programit "Kosova, shtet i xhudos”. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 17:00)

- Qendër Telefonike për Parandalim të Vetëvrasjes Linja e Jetës organizon një koncertë për mbledhje të fondeve në mënyrë që të mos mbyllet pasi është në gjendje të rënduar financiare, ora 20:30