13 Prill 2021

Presidentja Osmani akordon urdhrin “Shotë Galica”, për 8 gra

Prishtinë, 8 mars - Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka dekoruar me urdhrin “Shotë Galica”, tetë gra, të cilat me aktivitetin e tyre kanë dhënë kontribut në avokimin dhe avancimin e barazisë gjinore si dhe në kauzën e përpjekjet për drejtësi.

Sipas Presidentes Osmani, secila nga këto gra e organizata, shquhen për guximin në kërkim të të drejtës së tyre, mbrojtjes së integritetit dhe të të vërtetës.

Ajo ka thënë se vetëm duke pasur gra të guximshme e barazi gjinore, shoqëritë si kjo e jona mund të avancohen.

Ajo ka theksuar se këto gra dhe shoqata përbëjnë modelin e aktivisteve që fatin e tyre personal e kanë shndërruar në kauzë për të mirën e përgjithshme, duke u përpjekur për të ngadhënjyer e vërteta dhe duke u bërë prijetare në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi  për barazinë gjinore.

Të dekoruarat janë:

Vasfije Krasniqi – një heroinë e vërtetë e ditëve tona. Gruaja e cila dhimbjen e shndërroi në guxim dhe shembull se si mund dhe duhet të sfidohen stereotipet e paragjykimet shoqërore.  Gruaja e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit dhe dhunimin seksual nga forcat serbe dhe meritorja për trasimin e rrugës për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për guximin e treguar në luftën e saj për drejtësi, znj. Vasfije Krasniqi dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.  

Shyhrete Tahiri- Sylejmani – gruaja që ndoqi hap pas hapi rrugën deri në sjelljen e drejtësisë për padrejtësinë që i është bërë asaj dhe shumë grave e vajzave të Kosovës. E mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, Shyhrete Tahiri – Sylejmani dekorohet për guximin e saj që publikisht të kërkojë dënimin e përdhunuesve. Znj. Shyhrete Tahiri- Sylejmani  dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” për ngritjen e zërit të saj që ndihmoi të fuqizohet zëri i shumë vajzave e grave të tjera anë e mbanë vendit tonë.  

Shehrije Balaj - gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës. Ndonëse vdiq në vitin 2018, ajo mbetet heroinë e ditëve të sotme. Për guximin e saj, znj. Shehrije Bala dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Marte Tunaj – është ndër gratë e para në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës nga forcat serbe. Në momentet më të vështira të luftës së UÇK-së, ajo iu përgjigj organizmit të tij dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm. Ajo nuk jeton më, por vepra e saj është e pavdekshme. Për shembullin e dhënë dhe guximin, znj. Marte Tunaj dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Shoqata “Thirrjet e nënave” - Shoqate e cila për vite tashmë merret me procesin e zbardhjes se fatit te personave të pagjetur e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.  Thirrja e nënave mbetet thirrja më e kumbueshme në vendin tonë për drejtësi. E nënat e Gjakovës nuk u dorëzuan kurrë dhe nuk do të dorëzohen derisa drejtësia të vje në vend. Për qëndresën, vendosmërinë e punën e palodhshme ndër vite, shoqata “Thirrjet e Nënave”, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”.

Shpresa Loshaj – një pishtare e vërtetë, një guximtare e pashoq, një luftëtare për gjithpërfshirje e aktivizëm në përpjekjet për mbrojtjen e lumenjve të Kosovës.  Për punën e saj të palodhshme, për mosluhatjen në qëndrimet e saja, si dhe për guximin për të sfiduar padrejtësitë, si dhe për guximin e treguar në mbrojtjen e pasurive natyrore të Kosovës, znj. Shpresa Loshaj dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.  

Arjeta Musliu – gruaja që vendosi që dhembjen e saj ta kthejë në forcë, duke hapur kështu qendrën këshilluese ‘Ri-Jeta’, që tu dal në ndihmë të gjithë të rinjve që përballen me përdorimin e substancave narkotike. Arjeta është shembull se si sfidat e jetës shndërrohen në motiv për të ndihmuar të tjerët në nevojë, dhe si dhimbja vet mund të na ndihmojë të lehtësojmë dhimbjen e të tjerëve. Për përkrahjen e qindra familjeve, prindërve e në veçanti nënave, znj. Arjeta Musliu dekorohet sot me urdhrin “Shotë Galica”.

Fahrije Hoti - Ajo është themeluesja e ndërmarrjes "Krusha", në të cilën janë të punësuara pesëdhjetë gra, shumica e të cilave kanë mbetur të veja nga lufta e fundit në Kosovë. Themelimi i shoqatës “Gratë e veja” në vitin 2003 për përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ishte hapi i parë. Dy vite më vonë, Fahrija filloi një iniciativë vetjake për konservimin e ushqimeve dimërore. Kjo iniciativë në vitin 2010 u shndërrua në ndërmarrjen e njohur “Krusha”. Znj. Fahrije Hoti dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica” si gruaja që nuk u ndal kurrë së besuari dhe së guxuari përkundër të gjitha paragjykimeve.

 

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Prill 2021

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Basri Maksuti për vepren penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Rolling Film Festivali i cili organizohet nga OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood mban konferencën për media. (Kino Armata, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Shëndetësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Fondi i Sfidave të Kosovës organizon eventin online për shpalljen e thirrjes së parë për shprehje interesi, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues. (Platforma Zoom, ora 11:00)

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Partia Liberale Egjiptiane do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me te drejtën e tyre të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit Serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. (Gjykata Kushtetuese, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me një studim hulumtues për qytetarët kosovar që vizituan Shqipërin dhe Malin e Zi, si pasojë e kufizimit dhe mbylljes në Kosovë e që këto patën pasoja ekonomike dhe financiare për vendin tonë. (Zyret e AKB-së, ora 13:30)