28 Mars 2024

Presidenti Thaçi kërkon nga gjyqtarët më shumë përkushtim në shërbim të shtetit

Prishtinë, 2 dhjetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen e Konferencës së Shtatë Vjetore Gjyqësore, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të mbështetur nga OSBE-ja. 

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash ka ndërmarr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

“Të arriturat e sistemit tonë gjyqësor nuk janë të pakta, por gjatë rrugëtimit ka pasur edhe sfida. Vetëm përgjatë këtij viti kemi ndërmarr hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit tonë gjyqësor dhe në shtrirjen e tij në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Bazuar në propozimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se ka emëruar njëqind gjyqtarë, ku prej tyre dyzet gjyqtarë kanë qenë nga komunitetet jo shumicë, duke funksionalizuar kështu gjykatat në tërë territorin e vendit. 

“Në këtë drejtim, konsideroj që ky vit është i veçantë për Republikën e Kosovës, ngase shteti ynë po ndërtohet mbi parimet kushtetuese, të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ, që të realizojë vetveten dhe të kërkojë lumturinë e tij apo saj pa iu cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, që nga pas lufta nuk janë ndalur së punuari që në Kosovë të kemi një sistem të mirëfilltë gjyqësor, një sistem ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe do të trajtohen si të tillë.

“Ju jeni ata që e keni këtë detyrë të shenjtë para vetes, para popullit dhe para ligjit. Profesionalizmi, paanshmëria dhe pavarësia e juaj e rrit besueshmërinë e sistemit tonë gjyqësor, ndërsa sigurimi i qasjes së barabartë në gjykata e rrit edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve karshi gjykatave dhe pa dyshim që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në mbështetjen tuaj, për t’i arritur synimet dhe qëllimet për një sistem gjyqësor të mirë organizuar, profesional, të pavarur, të paanshëm dhe në shërbim të shoqërisë”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se nga të gjitha funksionet që ka më pasur ka ofruar dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e tij në avancimin e sistemit të drejtësisë.

Sfidat që kemi kaluar si vend, ai ka thënë se na kanë bërë të qëndrojmë edhe më të vendosur dhe më të bindur se Republika e Kosovës meriton të jetë shtet me një sistem të mirëfilltë të drejtësisë.

Presidenti Thaçi i ka përgëzuar gjyqtarët për gjithçka që kanë bërë gjatë këtyre vjetëve në shërbim të shtetit tonë dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të punojnë edhe më tej me profesionalizëm dhe përkushtim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)