29 Mars 2024

Presidenti Thaçi dekoron Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë

Prishtinë, 6 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Presidenti Thaçi ka thënë se e vlerëson lart rolin dhe kontributin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në të gjitha legjislaturat e mëhershme të Parlamentit të Shqipërisë, si dhe angazhimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

“Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për kontributin tuaj personal, unifikues dhe bashkues për gjithë spektrin politik në Shqipëri, në mbështetje të përpjekjeve të jashtëzakonshme në kohën e luftës, por edhe në përpjekjet e tranzicionit demokratik në Kosovë, të shpalljes së pavarësisë dhe gjithashtu edhe tash e di se Kosovën e keni një nga prioritetet kryesore kudo që shkoni si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ua ndaj medaljen Urdhri i Lirisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, theksoi se kjo është dekorata e parë që merr dhe është me veçantë për të, sepse ia ndan Presidenti i Kosovës.

“Këtë vlerësim që ju bëni, e bëni për të gjithë spektrin politik shqiptar, pasi kanë qenë të gjithë deputetët shqiptarë, të gjitha partitë politike shqiptare, në fund të fundit kanë qenë të gjithë shqiptarët, që ëndrra e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës të bëhet realitet”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Presidenti Thaçi dhe kreu i legjislativit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kanë folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe koordinimin e ndërsjellë për përfaqësim sa më të mirë të shqiptarëve në botë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)