09 Korrik 2020

Presidenti Sejdiu u kthye nga vizita zyrtare në Gjermani

Prishtinë, 8 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye sot nga vizita zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vizitën në Gjermani, që u bë me ftesë të presidentit Kohler, Presidentin Sejdiu e shoqëruan edhe zonja e Parë, znj. Nezafete Sejdiu, ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ministri i Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në një deklaratë të bërë në Aeroportin e Prishtinës, Presidenti Sejdiu vizitën në Republikën Federale të Gjermanisë e cilësoi si jashtëzakonisht të suksesshme dhe të një rëndësie të veçantë. “Ishte një vizitë me peshë të veçantë, një mikpritje e jashtëzakonshme dhe një konfirmim i fuqishëm i Republikës Federale Gjermane për të mbështetur Republikën e Kosovës. Kjo u reflektua edhe në takimin me Presidentin Kohler, me Kancelaren e shtetit, zonjën Merkel, me ministrin e Jashtëm Guido Westerwelle si dhe me kryetarin e Parlamentit, z. Norbert Lammert”, tha Presidenti Sejdiu.

Gjatë qëndrimit të tij në Republikën Federale të Gjermanisë, Presidenti Sejdiu pati edhe disa takime me zyrtarë dhe përfaqësues të jetës politike dhe të biznesit gjerman. “Kishim takime edhe komunitetin e biznesit, komitetin që quhet i Ekonomisë Lindore Gjermane dhe Komitetin e përbashkët të Ekonomisë Gjermano-Kosovare, por edhe me personalitete të tjera”, veçoi Sejdiu.

Vizita e Presidentit Sejdiu në Republikën Federale të Gjermanisë, solli rikonfirmimin dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

“Kjo vizitë vjen në kuadër të mbështetjes së fuqishme që i jepet Kosovës. Ju e dini pozicionin e qartë të Gjermanisë dhe them se ishte një konfirmim po kështu i padilemë në mbështetjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi shprehur me vullnetin tonë dhe ashtu siç është njohur nga vendet më të rëndësishme të botës dhe që është shprehur njëkohësisht edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qëndrimi i Republikës Federale sikur edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Francës, i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë shumë i qartë”, tha Presidenti Sejdiu.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu përkujtoi se ka marrë konfirmimin për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë, si dhe faktin se udhëheqësit e këtij shteti do të vazhdojnë lotimin për njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë.

“Po ashtu, ishte një konfirmim i veçantë për mbështetjen në kuptim të njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës tek të gjithë miqtë ku Gjermania mund të bëjë influencën e vet dhe po ashtu një qasje e veçantë e mbështetjes edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik ” vijoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha po kështu se vizita në Gjermani dëshmoi se është një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me Republikën Federale Gjermane, duke pasur parasysh edhe investimet e veçanta që ka bërë për qytetarët e Kosovës, për periudha të gjata kohore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)