29 Mars 2024

Presidenti Sejdiu priti kryetarët e komunave të Kosovës

Prishtinë, 9 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu zhvilloi sot një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. Në takimin e parë të zhvilluar pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Presidenti i ka uruar kryetarët e komunave për detyrat që kanë marrë në krye të komunave që udhëheqin.

Ai i ka siguruar kryetarët e komunave për mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme për realizimin e projekteve që kanë, ndërsa ka kërkuar prej tyre që të jenë akterë të rëndësishëm në rolin e tyre ligjor dhe kushtetues.

“Qëllimi themelor është që pushteti lokal të dëshmohet si faktor i pashkëputshëm i zinxhirit institucional të Kosovës. S’mund të ketë funksionim të Kosovës nëse shikohet vetëm puna në nivelin qendror dhe të mos shikohet puna që bëhet në nivelin lokal dhe anasjelltas”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke i quajtur të dy nivelet e qeverisjes si të ndërlidhura mes vete.

“Sundimi i ligjit dhe zbatimi i tij nuk është vetëm çështje e pushtetit qendror, vetëm e gjyqësorit, e sistemit prokurorial apo edhe e organeve të ndjekjes, por është edhe e pushtetit lokal, në krejt nivelet. Sundimi i ligjit nuk lidhet vetëm në një fushë, por lidhet me të gjitha fushat e jetës”, tha Presidenti Sejdiu, duke prezantuar temat që janë diskutuar me kryetarët e komunave, përfshirë çështje nga fusha e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë e çështje të tjera të shtruara nga kryetarët e komunave.

Po kështu, Presidenti Sejdiu e ka çmuar faktin që në takim kanë marrë pjesë edhe kryetarët e pilot-komunave dhe të komunave të reja, si dhe u ka ofruar të gjithë kryetarëve të komunave përkrahjen e tij të pakursyer në punën në drejtim të realizimit të projekteve në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie dhe spektri partiak.

Në një deklaratë për media bërë pas takimit, Presidenti Sejdiu ka komentuar edhe vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke thënë se është një mandat në politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian. “Ne e kemi ftuar EULEX-in në Kosovë, që të jetë mbështetës i rëndësishëm në realizimin e politikave tona si shtet i ri dhe besoj se kjo mbështetje do të jetë vetëm në kuptimin pozitiv”, tha Presidenti Sejdiu.

“Ne duam të jemi në Bashkimin Evropian sa më shpejt. Është rast i yni që të shfrytëzojmë prezencën ndërkombëtare për të shkurtuar rrugën”, shtoi ai.

Ndërsa i pyetur rreth hetimeve që po bën ky mision në vendin tonë, Presidenti Sejdiu u shpreh: “Unë mbështes gjithmonë zbatimin e plotë të ligjit dhe vënien në shënjestër të gjithë personave që mund të kenë ardhur në kundërshtim me ligjin. Në këtë kuadër edhe në luftimin e korrupsionit. Institucionet e vendit duhet të bëjnë punën e vetë të suksesshme, por edhe mbështetja e EULEX-it është e domosdoshme, në këtë aspekt, në pjesën e mandatit që ka. Dhe ekziston një bashkëpunim i mirë”.

Ndërsa i pyetur nëse arrestimet e mundshme mund të destabilizojnë vendin, Presidenti Sejdiu theksoi se këto janë çështje të institucioneve të ndjekjes. Por, shtoi ai, “Kosova nuk është temë, Kosova nuk është duke u ndjekur. Kosova është në rrugën e saj të mirë, në rrugën e suksesit. Por, natyrisht, në këtë pjesë të suksesit ka edhe shumë çështje që duhet punuar më mirë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)