28 Mars 2024

Presidenti Sejdiu dekoroi luftëtarët e lirisë

Prishtinë, 10 gusht - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës” luftëtarin dhe udhëheqësin e  shquar ushtarak të  Kosovës, Bekim Berisha – Abeja.

Në arsyetimin e dekorimit të Bekim Berishës – Abesë thuhet: “Kontributi i  Bekim Berishës-Abesë në luftën për lirinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm. Bekim Berisha ishte ndër luftëtarët dhe strategët kryesorë në periudhën e kthesave të mëdha dhe luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Trimëria, guximi, profesionalizmi i tij ushtarak, ishin faktorë mobilizues, frymëzues dhe nxitës për bashkëluftëtarët dhe popullin e Kosovës për të mos u nënshtruar dhe për të qëndruar në rrugën e çlirimit të plotë.

Bekim Berisha-Abeja është shembull më i mirë i përkushtimit liridashës dhe i dëshmimit se si i dilet zot thirrjes së atdheut në luftën për liri.

Shpirti luftarak dhe profesionalizmi i tij u dëshmuan kudo ku ai u gjet përkrah popujve të rrezikuar, siç ishte rasti me popullin kroat dhe atë boshnjak. Ai mbeti i respektuar kudo ku luftoi dhe punoi për të mirën e popujve dhe lirinë ë tyre.

Bekim Berisha-Abeja duke rënë në fushëbetejë me bashkëluftëtarët Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula, u bë shenjë e trimërisë dhe e dashurisë për atdheun që do të kujtohet dhe respektohet përherë me pietet të lartë.

Vepra dhe personaliteti i Bekim Berishës –Abesë, do të jetë frymëzim atdhedashurie për të gjithë brezat që do të vijnë”.

Po sot, Presidenti Sejdiu, për kontribut të veçantë dhënë në luftën për lirinë e Kosovës,  dekoroi me Medaljen e Artë të Lirisë, dëshmorët Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.

“Kontributi i luftëtarëve Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula në luftën për lirinë e Kosovës është  i veçantë. Rënia e tyre në fushëbetejë ishte shembull i sakrificës dhe i përkushtimit të lartë e i dëshmimit se liria e vendit është mbi të gjitha.

Ata së bashku me komandantin Bekim Berisha-Abeja luftuan dhe vdiqën në moshë të re, duke u bërë kështu shembull i trimërisë dhe i dashurisë për atdheun.

Vepra dhe personaliteti i Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës do të mbeten frymëzim atdhedashurie  për të gjithë brezat që do të vijnë”, thuhet në arsyetimin e dekorimit të tyre.

Për kontribut të veçantë dhënë në luftën për lirinë e Kosovës,  Presidenti Sejdiu dekoroi me Medaljen e Artë “Luftëtari i Lirisë - Adem Jashari” dëshmorin Muhamet (Sefer) Haxhaj.

“Kontributi i luftëtarit Muhamet (Sefer) Haxhaj- i njohur si komandant Naimi,  në luftën për lirinë e Kosovës është  i jashtëzakonshëm. Lufta dhe rënia e tij në fushëbetejë, në Dollc të Klinës, duke mbrojtur pozicionet luftarake, ishte shembull i trimërisë dhe i përkushtimit të lartë për lirinë e atdheut.

Muhamet (Sefer) Haxhaj luftoi dhe vdiq fare i ri, për të mbetur prore shembull i luftëtarit të paepur që i del zot vendit dhe popullit në kohët më të vështira.

Vepra dhe personaliteti i Muhamet (Sefer) Haxhaj do të mbeten frymëzim atdhedashurie  për të gjithë brezat që do të vijnë”, thuhet në arsyetimin e dekorimit.

Në një ceremoni organizuar në kabinetin e Presidentit Sejdiu me këtë rast, në emër të familjarëve të pranishëm të të dekoruarve, falënderoi Gëzim Zherka, i cili çmoi kujdesin e Presidentit për veprën dhe luftën e dëshmorëve të lirisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)