28 Mars 2024

Presidenti: MCC po e ndihmon hapjen dhe shfrytëzimin e të dhënave

Prishtinë, 13 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në lansimin e projektit të parë të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), projektit “Diga Data”, në Kosovë.

Presidenti Thaçi ka thënë se në vitin e kaluar kur është nënshkruar Marrëveshja e Pragut në mes të Kosovës dhe Qeverisë Amerikane në Kongres, prezentë kanë qenë përfaqësues të republikanëve dhe demokratëve të Kongresit Amerikan, si dëshmi e një angazhimi të sinqertë dhe dedikimi të thellë në Uashington për progresin ekonomik, politik dhe social në Kosovë.

“Sot gëzohem të shoh pjesëmarrës të shoqërisë civile, të mediave, por edhe të sektorit privat në lansimin e projektit ‘Dig Data’ apo Sfida e Hapjes së të Dhënave. Hapja e të dhënave ka qenë prioritet i qeverive në vitet e fundit. Të gjitha institucionet kanë bashkëpunuar që të rritet transparenca, por rritja e transparencës nuk është rrugëtim një kahesh. Projekti i Fondacionit të Mileniumit do të ndihmojë në hapjen e të dhënave, por edhe shfrytëzimin e të dhënave nga publiku, nga aktorët në shoqëri civile, në biznes, në institucionet kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Si President i Republikës, ai ka thënë se çdo javë dhe çdo ditë takon njerëz, qytetarë që pyesin dhe punojnë që shteti të japë më shumë për qytetarët.

“Ne jemi në reforma të thella të shumëfishta. Tranzicioni nuk ka pasur të ndalur dhe ka lënë shumë shtresa të painformuara për ligjet e reja, për politikat dhe rregulloret që kanë dalë nga procesi i integrimit evropian. Nuk mund të thuhet se nuk është bërë punë e madhe nga shumë ministri, agjenci dhe institucione, por mund të themi se shpeshherë kjo punë nuk është raportuar dhe shpesh ka munguar bashkëpunimi i sinqertë në mes sektorëve të ndryshëm. Mediat kanë kërkuar përgjigje, institucionet kanë kërkuar mirëkuptim, qytetarët kanë kërkuar rezultat”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se projekti i Sfidave të Hapjes së të Dhënave apo siç është titulluar nga Fondacioni i Mileniumit “Dig Data”, synon të rrisë këtë bashkëpunim.

“Këtë vit do të punohet me të dhënat e papunësisë, arsimit dhe tregut të punës. Projektet që analizojnë të dhënat dhe që do të gjejnë përgjigje sesi të bashkëpunojë trekëndëshi Qeveri, OJQ dhe biznes, do të shpërblehen dhe ato do të inkuadrohen në punën e institucioneve. Unë kam shumë besim se nëse fokusohemi tek të dhënat dhe jo tek gojëdhënat, nëse punojmë me numra dhe jo shumë me thashetheme, do të arrijmë sukses më të madh shoqëror. Mendoj se Kosova mund të synojë edhe përkrahje të mëtutjeshme nga MCC dhe nga Qeveria Amerikane nëse fokusohemi në indikatorë të një jete më të mirë. Të një ekonomie më të mirë. Të një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që synon NATO-n dhe BE-në”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit theksoi se jemi në procese të ndryshme jo të lehta, nga reformat në ekonomi dhe sjellje të investitorëve e deri tek dialogu me fqinjët.

“Ndihma më e madhe që mund të ofrohet nga qytetari është të jetë në dialog me neve, me institucione. Të japë propozime dhe ide sesi duhet të vazhdojmë tutje. Ky projekt po e krijon një vlerë, sepse po e mundëson një platformë të një dialogu të tillë dhe një bashkëpunimi të tillë”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi e uroi ekipin e Sfidave të Mijëvjeçarit për këtë projekt dhe për tërë operacionin e MCC-së në Kosovë.

Ai shtoi se pret të shohë edhe lansime të projekteve të tjera, në energji, në qeverisje transparente, në mënyrë që qytetarët t’i shohin edhe rezultatet konkrete të investimeve madhore nga populli amerikan në mirëqenien dhe në mirëqeverisjen tonë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)