20 Prill 2024

Presidenti kërkon unitet politik

Prishtinë, 25 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo konferencë dhe nismat e ngjashme janë shumë të rëndësishme për të sotmen, por para së gjithash edhe për të ardhmen e Kosovës, me reflektime edhe për rajonin.

“Për bindjen time, në politikën kosovare ka një pjekuri politike, por në të njëjtën kohë, si në tërë rajonin, kjo politikë përcillet edhe me thashetheme,  edhe  me spekulime dhe me pak debate me argumente e kundërargumente dhe mendime e diskutime të mirëfillta se ku jemi si politikë, ku jemi si institucione, ku jemi si shoqëri civile dhe ku janë edhe mediat kosovare”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se duhet shtruar pyetjen se çka tash e tutje për të avancuar në mënyrë thelbësore agjendën e shtetit të Kosovës, reformimin e plotë të shoqërisë në vitet dhe dekadat e ardhshme.

Kreu i shtetit është shprehur besimplotë se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për shumë aspekte, përfshirë edhe konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Ajo çka neve na mungon është debati i mirëfilltë dhe të mos fokusohemi vetëm në politikën ditore apo në politikat e javës së ardhshme, por në një politikë sa më konsensuale, transparente, të agjendës së qartë institucionale edhe përbrenda, por edhe në raport me rajonin dhe botën perëndimore, por natyrisht edhe në raport me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti ka thënë se Kosova është storie e suksesit të plotë, porse jemi dëshmitarë se viteve të fundit institucionet e vendit kanë funksionuar më një brishtësi më të madhe.

“Si rezultat i kësaj kemi pasur edhe zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, zhvillimet e panevojshme që kanë dërguar një mesazh dhe pamje jo të realitetit kosovar, por një pamje vizuale aspak të pëlqyeshme për vendin tonë në botë."

"Ato kanë arritur që të dobësojnë edhe pozicionin e vendeve mbështetëse për Kosovën dhe të prodhojnë argumente për ata që ende kanë hezitime për njohjen e pavarësisë apo që janë kundër pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se të gjitha këto janë tejkaluar me pjekuri politike dhe tani kemi të votuar me dy të tretat demarkacionin me Malin e Zi dhe kemi filluar punën për funksionalizimin e Ekipit Menaxherial për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti Thaçi ka thënë se vetë titulli i forumit të sotëm “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”, është një titull shumë përmbajtjesor dhe thelbësor, i cili ka dy anë tepër të rëndësishme dhe njëkohësisht të domosdoshme dhe të pashmangshme për politikën në Kosovë.

“Vetë koncepti i një mendimi shqyrtues dhe planifikues, për rrjedhat e ardhshme në Kosovë, që ka si njësi matëse një dekadë të plotë, është diçka që gjithsesi na mungon neve, në politikën kosovare. Me gjasë, secili prej nesh, e dimë se çfarë do të duhej të dukej dhjetëvjetëshi i ardhshëm i Kosovës apo cilat do të duhet të jenë synimet tona."

"Por, neve ende na mungon një plan strategjik i këtij lloji, i cili duhet me të vërtetë të qartësoj agjendën shtetërore të institucioneve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është sot dhe kush do jetë nesër në krye të tyre."

"Sepse, njerëzit në krye të institucioneve dhe partitë që janë në krye të vendit apo që janë partnere të koalicionit, sot janë në pushtet e nesër mund të ndërrohen, por agjenda mbetet e njëjtë, flas për agjendën euroatlantike. Dhe kjo u pa edhe në të kaluarën, ne kishim dallime sa i përket demarkacionit dhe asociacionit, kurse sot kemi një pajtueshmëri se duhet të lëvizet përpara”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi theksoi se mirëpret platformat që po prezantohen nga liderët politikë të Kosovës për aktualitetin në vend dhe agjendën planifikuese për të ardhmen, si dhe në veçanti përpjekjet për arritjen e një konsensusi maksimal, sa më të gjerë të mundshëm, për etapën tjetër apo për fazën finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje ligjërisht obliguese është e nevojshme dhe është e domosdoshme për të dy vendet. Pse e them këtë? E them për arsye se ne nuk duhet të bëhemi pengesë për njëra-tjetrën, as Kosova, as Serbia, për të ardhmen evropiane. Një marrëveshje e tillë e lehtëson të ardhmen evropiane të dy vendeve, por edhe e dërgon mesazhin më të mirë për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se i kupton dhe i respekton kritikët e dialogut, por Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën, as Serbinë, pa i përmbyllur çështjet e hapura në mes veti dhe këto problematika askush nuk vjen të na i zgjidhë neve, pa treguar vetë vullnet dhe përgjegjësi.

Ai ka thënë se dialogu do jetë i vështirë për Kosovën, porse është rruga e vetme për të ecur përpara.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar shoqërinë civile për mbështetjen që po u jep proceseve të rëndësishme për vendin tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)