19 Prill 2024

Përvoja e punës e fituar përpara diplomimit duhet te llogaritet

Prishtinë, 1 shkurt - Avokati i Popullit, në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), i ka përcjellë Gjykatës Supreme të Kosovës,  Gjykatës së Apelit, Gjykatave Themelore dhe Ministrisë së Administratës Publike, Opinionin në lidhje me çështjen e interpretimit të konceptit të “përvojës së punës”, në kontekstin e konkurseve për punësim në institucione publike.

Dilema nëse përvoja e punës e fituar përpara diplomimit duhet apo jo të llogaritet si përvojë pune është subjekt i trajtimit në këtë Opinion, qëllimi i të cilit është ofrimi i ndihmës ligjore për interpretimin sa më të drejtë të konceptit “përvojë e punës”, që në kontekstin e trajtuar di të jetë mjaft sfidues për zbatuesit e ligjit, e me premisa të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës (KPMK) dhe Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës, kanë shprehur qëndrimin se “përvoja e punës” nuk përfshin përvojën e fituar përpara diplomimit.

Avokati i Popullit konstaton se nuk është bindës argumenti që llogaritja e përvojës së punës përpara diplomimit, është në kundërshtim me parimet e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe që aftësia profesionale mund të merret vetëm pas diplomimit të tyre.

Sipas Avokatit të Popullit, dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil dhe Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil, e bëjnë të qartë se është kompetencë e Qeverisë, që me nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë kriteret minimale të çdo vendi të punës, në kuadër të klasifikimit të të gjitha vendeve të punës.

Këtë përcaktim të kritereve, e ka kryer Qeveria me nxjerrjen e Rregullores Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Në këtë klasifikim përcaktohen gjithsej 14 grada të pagës.

Për secilën gradë përcaktohen kushtet minimale për vendet e punës të asaj grade, duke përfshirë diplomë universitare dhe një sasi përvoje të punës. Mirëpo, në asnjë rast dhe për asnjë gradë, nuk përcaktohet se përvoja e punës duhet patjetër të jetë fituar pas diplomimit. Prandaj, qëndrimi i KPMK-së dhe Gjykatës Themelore mbi këtë çështje nuk ka bazë.

Më tej, Avokati i Popullit thekson se për të gjitha vendet e punës në shërbimin civil, kushti që kandidatët të kenë përfunduar një periudhë të caktuar të përvojës së punës është kusht përjashtues, në kuptimin që kandidatët të cilët nuk kanë përvojën e duhur nuk kanë të drejtë as të futen në konkurs.

Prandaj, në mënyrë që trupi vlerësues të ketë mundësi të konsiderojë sa më shumë kandidatë që të jetë e mundur, është e domosdoshme të interpretohet koncepti i “përvojës së punës” në mënyrën sa më të gjerë të mundshme.

Një interpretim i tillë liberal nuk do të thotë aspak se trupi vlerësues e ka për detyrë të vlerësojë përvojat e të gjithë kandidatëve njësoj. Është krejt normale që trupi vlerësues, kur i krahason të gjithë kandidatët që e kalojnë pragun minimal të përvojës së punës, të marrë parasysh natyrën dhe cilësinë e përvojës që secili kandidat përkatës paraqet në aplikim.

Ky proces i krahasimit të hollësishëm nuk pengohet aspak nga interpretimi i gjerë i konceptit të “përvojës së punës”.

Madje, një interpretim i ngushtë i këtij koncepti, sipas të cilit përvoja e punës e fituar përpara diplomimit në mënyrë kategorike nuk mund të llogaritet, paraqet rrezikun që komisioni vlerësues për një vend pune të caktuar, të mos ketë mjaft kandidatë për t’i krahasuar, për shkak se një pjesë e madhe e kandidatëve mund të jenë përjashtuar për shkak të mungesës së përvojës minimale sipas interpretimit të KPMK-së dhe Gjykatës.

Prandaj, parimet e “meritës” dhe “aftësisë profesionale”, kuptuar drejt, jo vetëm që nuk e mbështesin qëndrimin e KPMK-së dhe Gjykatës, por këto parime edhe kërkojnë pozitivisht që termi “përvoja e punës” të përfshijë përvojën e fituar përpara diplomimit.

Nuk ekziston, dhe nuk mund të ekzistojë, një formulë ekzakte që mund të zbatohet për të gjithë shërbimin civil. Kjo është një çështje që duhet të lihet në diskrecionin e secilit institucion që shpall një vend të lirë të punës dhe të secilit komision vlerësues, për shkak se institucioni dhe komisioni vlerësues, do të duhej të  jenë ekspertë dhe profesionistë të fushës së cilës i përket vendi i punës që kërkon të plotësohet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)