11 Korrik 2020

Përmbyllet takimi i liderëve të rajonit në Prevallë

Prevallë, 27 qershor - Takimi i liderëve të rajonit, që nisi punimet të premten, në Prevallë afër Prizrenit,i ka përmbyllur sot punimet.

Pasi i ka përcjellë presidentët Topi e Ivanov, të cilët u larguan sot nga Kosova, derisa presidenti Vujanoviq u largua mbrëmë vonë, nikoqiri i takimit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i bëri një vlerësim rrjedhës së takimit, duke shprehur konsideratat më të larta për kontributin e secilit president pjesëmarrës në takim, për angazhimet e tyre të thella në kuptim të intensifikimit të bashkëpunimit në mes vendeve dhe për klimën e jashtëzakonshme që ka mbretëruar gjatë takimit të përbashkët, por edhe gjatë  takimeve bilaterale.

“Tema bosht që lidhet me lëvizjen e lirë të qytetarëve u trajtua në esencë, edhe si kuptim filozofik, por edhe si ndjenjë e veçantë e vendeve tona për të bërë të mundshmen më të mirë, që qytetarët e vendeve tona të kenë mundësinë e gjithmonshme të lëvizjes së lirë, jo vetëm si individë, por edhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike, pra lirinë e komunikimit ekonomik të bizneseve dhe të fushave të tjera”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidentit Sejdiu, i cili ishte edhe nikoqir i këtij takimi, tha se e gjithë kjo përbën një taban të mirë të përbashkët për të dëshmuar aftësinë apo zotësinë e këtyre vendeve se janë të gatshme të hyjnë në procese të partneritetit të mirë, por edhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si partnerë të rëndësishëm për paqe dhe stabilitet.

Duke vlerësuar se mesazhet e përcjella ishin të një ndjenje të miqësisë, të bashkëpunimit të thellë dhe të ndihmës reciproke, Presidenti Sejdiu i falënderoi Presidentët e tri vendeve për idetë e shumta që u dhanë se si t’i shpejtojmë zhvillimet e përgjithshme që kanë të bëjnë edhe me proceset integruese.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu shprehu besimin e tij se takimi i ardhshëm, i planifikuar të mbahet në Maqedoni, do të jetë edhe më me kualitet dhe se është borxh i liderëve të vendeve për ta thelluar këtë bashkëpunim në të ardhmen, qoftë me vizita bilaterale, qoftë të karakterit punues.

Në fund ta takimit, Presidenti Sejdiu falënderoi të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për mbarëvajtjen e punimeve të takimit, Protokollin e Shtetit, Protokollin e Presidencës, Policinë e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e medieve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Korrik 2020

- Në Ditën Botërore të Popullsisë, organizata SIT, organizon aktivitetin ku do të prezantojë statistikat e rasteve të raportimit të dhunës në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19. (Sheshi "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, ora 9:00)

 - Aktivistë të shoqërisë civile organizojnë aksionin simbolik për të kërkuar drejtësi për Kujtimin pasi qe po bëhen 1 vit prej kur 11 vjeçari nga Fushë Kosova, u përdhunua e u vra.  (Përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, ora 11:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë transmetimin live të ceremonisë komemorative në Srebrenicë. (Qendra Kulturore Informative Boshnjake - Rr. Agim Ramadani, nr. 375 - Aktash, ora 12:00)

- Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë mbahet ligjëratë "25 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë" me ligjërues Akademik Ferid Muhić Moderator dhe bashkëbisedues Bekim Blakaj - Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. (Livestream në Facebook - Humanitarian Law Center, ora 15:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë shfaqjen e ekspozitës multimediale “Gjenocidi në tetë akte”. (Sheshi Skënderbeu, ora 17:30)

- - Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë bahet aksion simbolik: Ndezje e qirinjëve para Teatrit Kombëtar të Kosovës. (Para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ora 20:00)