25 Prill 2024

Përgjatë 10 viteve, shteti i Kosovës ka pasur mjaftë të arritura

Prishtinë, 8 shkurt - Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka organizuar një Konferencë ndërkombëtare me temën: “Festimi i dhjetë vjetorit të pavarësisë: Arritjet dhe aspiratat”, ku kanë marr pjesë personalitete të shquara politike e akademike nga vendi dhe ndërkombëtarë.

Në konferencë është theksuar progresi i arritur gjatë dhjetë viteve të ndërtimit të shtetit të Kosovës, si dhe janë renditur aspiratat për integrime euro-atlantike që shteti i Kosovës synon.

Në hapje të Konferencës, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasador Beqir Ismaili, ka vlerësuar se përgjatë 10 viteve, shteti i Kosovës ka pasur mjaftë të arritura.

“Sot, 10 vite pas pavarësisë, Kosova ka arritur të krijojë kushte të qëndrueshme që lidhen ngushtë me ngritjen e kapaciteteve , me ndërtimin e strategjive në arenën ndërkombëtare, përgatitjen e diplomatëve të rinj, të cilët promovojnë, përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e Kosovës në vendet aleate, si dhe zgjerimin e lidhjeve të reja bashkëpunuese në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Ismaili.

Ai më tej ka folur edhe për rolin e Akademisë Diplomatike në përgatitjen e diplomatëve të rinj.

Ndërkohë, Ndihmës Presidenti i Këshillit për Tolerancë dhe Paqe, ambasador Nabil Ayad ka folur për sfidat e ndërtimit të shtetit të Kosovës, me theks të veçantë sfidat në njohje të reja, megjithëse siç tha ai, Qeveria po punon fuqishëm për njohjet.

“Shteti në zhvillim është duke u përballur me sfida dhe barriera në sigurimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Ayad, ndërkohë ka folur për kontributin e tij në trajnimin e diplomatëve të rinj.

Në diskutimet për “Njohjen Diplomatike të Kosovës, Diplomacinë e Mbrojtjes, Ndërtimin e Kombit dhe raportet Civile-Ushtarake” kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, duke folur për pavarësinë e vendit, ka thënë se me gjithë mbështetjen ndërkombëtare, rruga drejt pavarësisë nuk ka qenë e thjeshtë.

Sipas saj, Kosova ka njohur dhimbjen e konfliktit dhe dëshpërimin e betejës; megjithatë, siç tha ajo, kemi qenë në gjendje të krijojmë një shtet që përpiqet të japë të drejta të barabarta për të gjithë pavarësisht nga raca, feja dhe përkatësia etnike.

“Misioni ynë më i madh është të ndërtojmë një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme për njerëzimin, duke promovuar një kulturë tolerance midis popujve dhe midis shteteve. Ne ftojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për t'u bashkuar me ne në këtë vizion”, ka thënë zëvendës ministrja e Jashtme Vuniqi.

Ndërsa, zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, ka folur për sukseset në konsolidimin ndërkombëtarë.

“Kosova në vetëm dhjetë vjet pavarësi, ka arritur të bëhet shtet i krahasueshëm me vendet e rajonit. Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Kosova ka të arritura të krahasueshme me vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendës ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani ka theksuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin me NATO-n.

“Kosova si shtet e ka të vendosur rrugën e vet: Ne nuk jemi shtet neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme; duam të anëtarësohemi në NATO dhe NATO të të qëndrojë në Kosovë:, ka thënë ai, ndërsa ka shtuar se Ministria ka bërë hapat e parë për themelimin e rrjetit të diplomacisë në fushën e mbrojtjes.

Myszka Guzkowska, nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka folur për diplomacinë e mbrojtjes dhe raportet civile-ushtarake.

Ajo ka përmendur edhe bashkëpunimin e Armatës së Mbretërisë së Bashkuar me Forcat e Sigurisë së Kosovës. “Armata ka rol pozitiv në mbështetjen e shoqërisë”, ka thënë Guzkowska.

Nga ana tjetër, Roger Mc Nally nga Link Campus University në Romë ka folur për historinë dhe filozofinë ë ndërtimit të shteteve dhe të aleancave në të kaluarën dhe sfidat e shteteve në ditët e sotme.

Ndërkaq, Antonio Acuna nga Ministria e Mjedisit e Mbretërisë së Bashkuar ka folur për shtet-ndërtimin në aspektin e zhvillimit digjital e teknologjik, si investim mjaft i mirë në ndërtimin e identitetit të një shteti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)