23 Prill 2024

Përfundoi raundi i parë i programit të praktikantëve në Kuvend

Prishtinë, 25 nëntor - Me rastin e përfundimit të raundit të parë të praktikantëve në Kuvendin e Kosovës dhe fillimit të raundit të dytë, Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, ka organizuar sot një ceremoni, me ç’rast, praktikantëve iu janë ndarë certifikata.

Në hapje të këtij solemniteti, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, theksoi se kjo praktikë do të jetë e vazhdueshme, përmes së cilës do të krijohen kuadro të reja, të cilat, me punën e tyre, do të jenë në përkrahje të administratës së Kuvendit të Kosovës.

Duke përcjell përshëndetjet e kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, shefi i Kabinetit, Mehmet Hajrizi, tha se kjo bëhet e mundur në saje të ndihmës së partnerëve dhe donatorëve, që e kanë mbështetur në vazhdimësi Kuvendin.

Hajrizi tha se të bësh praktikë në Kuvendin e Kosovës, përbën privilegj, sepse, siç tha ai, Kuvendi përbën institucionin më të lartë legjislativ të shtetit, në të cilin mund të mësohet shumë.

Drejtori i Programit për Mbështetje të Kuvendit të Kosovës nga NDI, Richard Anderson, tha se kanë parë të arsyeshme ta rrisin numrin e praktikantëve, për shkak të konkurrencës së fuqishme të kandidatëve. Ai theksoi se pret me padurim grupin e ri, i cili do të fillojë praktikën në Kuvend, në kuadër të këtij programi.
Në emër të praktikantëve, Shpresa Miftari, foli për punën disamujore në Kuvend, duke shfaqur shpresën që ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Programi i praktikantëve në Kuvendin e Kosovës ka filluar në shkurt 2010 dhe ka zgjatur 9 muaj, deri në tetor 2010, pjesë e të cilit kanë qenë 16 praktikantë, studentë nga Universiteti i Prishtinës dhe ai Amerikan. Praktikantët janë studentë të fushave të ndryshme, si: drejtësi, ekonomi dhe shkencat politike.

Falë përvojës së tyre në Kuvend, më shumë se gjysma e praktikantëve tani janë punësuar në institucione vendore dhe ndërkombëtare si dhe në disa organizata tjera partnere të Kuvendit.

Praktikantët kryesisht ishin të caktuar në ndihmë të komisioneve parlamentare, të cilët kanë ndihmuar në aspektin teknik në hartimin, ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit, si dhe kanë qenë të përfshirë në hulumtime legjislative për nevojat e Kuvendit.

Programi i praktikantëve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, me ç’rast Kuvendi do t’i hap dyert për të rinjtë, për t’iu dhënë atyre një përvojë pune të pazëvendësueshme.

Nëpërmjet këtij programi, Kuvendi ka arritur të rrisë transparencën si dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në ofrimin e mundësive të reja për profesionistë të rinj, përgatitjen e tyre për tregun e punës, qoftë në institucionet publike apo në ato private.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)