25 Prill 2024

Përceptimi mbi Ofrimin e Shërbimeve Administrative në vendet e BP-së

Prishtinë, 12 qershor - Anketa "Matja e përceptimit publik të shërbimeve administrative në Ballkanin Perëndimor" është anketa e parë rajonale kushtuar ofrimit të shërbimeve  administrative e cila përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Rezultatet e anketës tregojnë një perceptim publik përgjithësisht pozitiv ndaj shërbimeve administrative; 43% e publikut të përgjithshëm në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mendojnë se ndërveprimi me administratën e tyre publike është bërë më i lehtë. Kjo pikëpamje ndahet nga shumica e qytetarëve në Kosovë (79%).

Sa i përket burokracisë në administratën publike, 48% e qytetarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor mendojnë se ka pasur përpjekje apo nisma nga qeveritë e tyre për të thjeshtuar procedurat administrative për qytetarët dhe bizneset në dy vitet e fundit. Kështu janë shprehur shumica e qytetarëve të Kosovës (57%) dhe Serbisë (55%), ndërsa vetëm rreth 1/3 (28%) e qytetarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në përgjithësi, të dhënat e anketës tregojnë dallime të mëdha ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me perceptimet e qytetarëve mbi ofrimin e shërbimeve administrative. Një sfidë e përbashkët e shumicës së vendeve është mungesa e mekanizmave që u mundësojnë qytetarëve të japin mendimin e tyre mbi kualitetin e shërbimeve të ofruara.  Mesatarisht, vetëm një e treta e qytetarëve në të gjithë rajonin konfirmojnë se administrata e tyre u ka kërkuar atyre të japin propozime dhe sugjerime për përmirësimin e shërbimeve administrative në dy vitet e fundit. – përqindja më e ulët është shënuar në Bosnje dhe Hercegovinë (13%), kurse më e larta në Shqipëri (44%).

Për më tepër, një e treta e përdorueseve të shërbimeve administrative pohojnë të kenë  mundësi që në mënyrë aktive të japin vlerësimet e tyre mbi cilësinë e shërbimeve që marrin nëpërmes mekanizmave të ofruara. Duket se qeveritë në rajon nuk kanë prioritizuar mekanizmat e reagimit që u lejon qeverive të përmirësojnë shërbimet në përputhje me rrethanat.  Sidoqoftë, Kosova shënon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë në këtë mes, me 38%. Kjo mund të jetë reflektim i nismës së qeverisë për vendosjen e kutive elektronike nëpër institucione që lejojnë qytetarët të japin mendimin e tyre mbi cilësinë e shërbimeve që marrin nga institucionet publike, të nisur në fillim të vitit 2017.

59% e qytetarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor pajtohen se qeveritë e tyre po lëvizin drejt digjitalizimit dy vitet e fundit përkundër 22%. Në nivel kombëtar, niveli më i lartë i pajtueshmërisë vërehet në Maqedoni (72%), pasuar nga Serbia (70%). Kurse  vetëm 28% e qytetarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë pajtohen se qeveria e tyre po lëviz drejt digjitalizimit. Për vendet e tjera të rajonit, niveli i pajtueshmërisë lëviz nga 55% në Shqipëri në 64% në Kosovë dhe Mal të Zi. Të dhënat e anketës gjithashtu tregojnë një nivel të ulët të vetdijësimit publik mbi egzistencën e shërbimeve elektronike në të gjithë rajonin, duke filluar nga Bosnja dhe Hercegovina me 19% deri te Maqedonia me 53%.

Është shqetësues fakti që sipas të dhënave egziston një hendek midis gatishmërisë për të përdorur shërbimet e internetit dhe marrjes së shërbimit. Mesatarisht, 35% e Ballkanasve që kanë njohuri mbi  shërbimet elektronike në vendet e tyre pohojnë se kanë arritur të marrin “gjithmonë" shërbimin që kanë kërkuar në internet në dy vitet e fundit. Ky proporcion ndryshon nga 23% në Shqipëri në 47% në Serbi.

Sa i përket përfshirjes në monitorim të ofrimit të shërbimeve, vetëm një e katërta (26%) e të aketuarve pajtohen që qytetarët ose shoqëria civile janë përfshirë në monitorimin e shërbimeve. Niveli i pajtueshmërisë është më i larti në Shqipëri (35%) dhe Kosovë (32%) ndërsa më i ulëti në Bosnjë dhe Hercegovinë (11%).

Ky studim është një burim shumë i dobishëm informacioni për qeveritë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë shumë të qartë vihen në dukje pikat e ndjeshme të administratave publike në të gjithë rajonin. Ndër të tjera, thekson nevojën që qeveritë të shtojnë përpjekjet e tyre drejt përmirësimit të ofrimit të shërbimeve dhe si dhe përfshirje më të madhe nga shoqëria civile dhe qytetarët në monitorimin e ofrimit të shërbimeve .

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)