29 Mars 2024

PDK arrin marrëveshje me AKR-në, Pacolli president

Prishtine, 14 shkurt - Pas një mbledhjeje tri orëshe, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me Aleancën për Kosovë të Re, duke i lënë kësaj partie, postin e presidentit, për të cilin i nominuar nga partia është Behxhet Pacolli.

Ka marr fund lufta për kuoaliconin dhe presidentin e ardhshëm të Kosovës. Ai do të jetë biznesmeni i fuqishëm, kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli.

Këshilli Drejtues i PDK-së pas një mbledhje maratone konfirmoi se marrëveshja ishte arritur që Pacolli do të ishte president. Këshilli ka vendosur që të pranohet oferta e AKR-së ndërsa presidenti do ti takojë AKR-së dhe ajo do të zyrtarizohet ditët e ardhshme.

Pas përfundimit të mbledhjes, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se dy pozitat e tjera qendrore, të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, do ti takojnë PDK-së. Në koalicionin e ardhshëm do jenë edhe minoritetet dhe Lista Ibrahim Rugova.

Kuçi ka thënë se ende nuk është vendosur për ndarjen e ministrive, ndërkohë që postin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit do ta mbajë partia fituese e zgjedhjeve, PDK-ja.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që të hyjë në koalicion me AKR-në. Ka vendosur që pozitat kryesore të ndahen, natyrisht edhe pozita e presidentit t’i takojë AKR-së, ndërsa për vendime tjera, për ministri do të negociohen në mes të Kryesisë së PDK-së, apo grupit që e kemi pasur, dhe Kryesisë së AKR-së. Është vendim i Këshillit Drejtues të PDK-së, që të ndërtohen institucionet e Republikës së Kosovës, sa më shpejt që është e mundur”, ka theksuar Kuçi.

Nënkryetari Kuçi ka arsyetuar vendimin e PDK-së, që ta pranojë Pacollin si president:

“Ka mendime individuale, por PDK-ja merr vendime në të mirë të institucioneve, në të mirë të vendit dhe nuk hyjmë në vlerësime të personaliteteve. Natyrisht, kemi mendime individuale për secilin individ në Kosovë, por në fund të fundit, partia sillet si parti me përgjegjësi”.

Megjithatë, ai nuk ka pranuar që Pacolli të krahasohet me Jakup Krasniqin, për të cilin kishte zëra që të zgjidhej president me mandat të plotë.

“Unë mendoj se Krasniqin, nuk e ka kërkuar një grup, por e ka kërkuar tërë PDK-ja. Nuk ka dilemë në këtë drejtim dhe nuk është mirë ta vëni në baraspeshë personalitetin e zotit Krasniqi me asnjë personalitet tjetër në Kosovë. Në anën tjetër, kjo është pjesë e negociatave. Negociatat nuk janë të lehta. Ne kemi negociuar disa herë me AKR-në. Ne kemi takuar disa herë Kryesinë e partisë, Grupin Parlamentar, Këshillin Drejtues dhe kemi ardhur në këtë vendim”, është shprehur Kuçi.

Pas pozicionimit të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së për opozitë, PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, e vetmja parti parlamentare shqiptare që i mbeti në dispozicion për bisedime rreth koalicionit qeverisës, ishte AKR-ja. Lista Ibrahim Rugova, për të cilën Kuçi ka thënë se do të ftohet në koalicion, ka vetëm një deputet të zgjedhur - Ukë Rugovën.

Ndërkohë, vendimi i PDK-së është mirëpritur në Aleancën Kosova e Re.

Nënkryetarja, Mimoza Kusari-Lila, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tash pritet të konkretizohet edhe ndarja e dikastereve qeveritarë.

“Kjo është një lëvizje prej pozicioneve të deritashme të PDK-së. Është një hap pozitiv drejt arritjes së një koalicioni qeverisës. Ju e dini që tanimë, duhet të detajohen edhe disa çështje tjera, sa i përket dikastereve qeveritarë, sa i përket posteve, bartësve të funksioneve ekzekutive. Të gjitha këto do të jenë subjekt i një dialogu të mëtejmë me PDK-në, por të paktën për pozicionin e propozimit për presidenti të Republikës së Kosovës nga ajo që deri më tani kjo parti ka deklaruar”, ka thënë Kusari-Lila.

Nuk dihet se kur do të formalizohet marrëveshja me AKR-në dhe as se si do t’u ndahen resorët partnerëve tjerë të koalicionit. Mbledhja konstituive e Kuvendit mbahet javën e ardhshme më 24 shkurt.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)