03 Dhjetor 2020

Osmani: Mbrojtja e mjedisit, e rëndësishme për shëndetin tonë

Prishtinë, 13 nëntor - U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani mbajti sot ligjeratë online me studentët e RIT Kosovo.

E ftuar si folëse në kuadër të lëndës: Politikat Energjetike, u.d. Presidentja Osmani foli për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimet në sektorin e energjisë dhe obligimet në këta dy sektorë karshi marrëveshjeve rajonale e ndërkombëtare, në veçanti karshi integrimit evropian.

U.d. Presidentja Osmani theksoi që për mjedisin nuk duhet folur vetëm në ditë të veçanta, por që kjo është një temë që duhet të bëhet prioritet në nivel nacional, si dhe duhet të jetë brengë e çdo qytetari të Kosovës ngaqë ka të bëjë drejt për drejt me ruajtjen e shëndetit tone, por edhe me të ardhmen evropiane.

Ndër të tjera, u.d. Presidentja Osmani tha:

E ardhmja është padyshim e gjelbërt, mirëpo ne duhet të sigurohemi për një mobilizim sistematik dhe planifikim strategjik të sektorit të energjisë, duke u përkujdesur për mbrojtjen e mjedisit, duke garantuar sigurinë e furnizimit, dhe duke respektuar obligimet tona karshi marrëveshjeve rajonale e ndërkombëtare.

Ajo tutje theksoi se Marrëveshja e Gjelbërt Evropiane tashmë konfirmon që e gjithë Evropa është orientuar drejt transicionet energjetik dhe që të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik e sheh gjithmonë në harmoni të plotë me mjedisin. Andaj, duhet të sigurohemi që Kosova, si vend që aspiron integrimin në BE, të bëjë përgatitjet e duhura për sfidat që na presin në këtë rrugëtim.

Studentët e RIT Kosovo mirëpritën ligjeratën e znj. Osmani dhe shprehën interesim për çështje të shumta, siç është liberalizimi i tregut energjetik, taksat e karbonit, investimet në hidrocentrale të vogla dhe dëmi në mjedis, përdorimi i qymyrit nëpër shtëpija, nevoja për investime në fushën e efiçiencës së energjisë etj.

Presidenti i RIT Kosovo, Dr Kamal Shahrabi dhe ligjëruesja e lëndës, znj. Shqipe Neziri-Vela falënderuan u.d. Presidenten Osmani për kontributin e saj në këtë ligjeratë. Ata e vlerësuan lart angazhimin e saj për vetëdijësim të qytetarëve dhe të institucioneve mbi këto tema, si dhe përkushtimin për një orientim të ri në politikat mjedisore dhe energjetike. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)