09 Korrik 2020

Osmani kërkoi nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

Prishtinë, 19 shkurt - Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajn.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërparlamentar, në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo ka thënë se ndër synimet e kësaj legjislature mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma parlamentarë, në të cilat ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme.

Më tej, kryekuvendarja Osmani ka kërkuar nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për politikën e jashtme. Sipas saj, nevojiten qëndrime të përbashkëta për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këtë kontekst, Cakaj ka bërë të ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve është në plan bashkimi i disa ambasadave e konsullatave, të cilat përveç se një shfrytëzim racional do të përbëjnë edhe një mesazh politik.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy shteteve nuk është në nivelin e duhur, duke u zotuar për të shmangur pengesat.

Kryekuvendarja Osmani kërkoi heqjen e barrierave jotarifore për bizneset kosovare që operojnë në Shqipëri.

Kurse ministri Cakaj, duke premtuar ndihmë në këtë drejtim ka thënë se është koha për një momentum të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve.

Në këtë takim është diskutuar edhe koordinimi për ta mbështetur diasporën shqiptare si dhe shkelja e të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Pala shqiptare i bëri ftesë zyrtare kryekuvendares Osmani që në një të ardhme të afërt ta zhvillojë një vizitë zyrtare pune në Shqipëri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)