22 Shkurt 2020

OSBE publikon pasqyrë të gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Prishtinë, 10 janar - Misioni i OSBE-së ka publikuar sot një përmbledhje gjithëpërfshirëse mbi jetën dhe gjendjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Kjo përmbledhje mbulon 24 komunat e Kosovës ku jetojnë këto komunitete. Për secilën komunë ofrohet një pasqyrë e shkurtër demografike, listë e vendbanimeve, si dhe të dhëna statistikore për infrastrukturën, punësimin, arsimin, kujdesin shëndetësor, përfaqësimin në vendimmarrje, kthimin dhe riatdhesimin.

“Shpresojmë që kjo përmbledhje të shërbejë si burim informimi, por edhe mobilizimi për mjete e resurse vendore e ndërkombëtare në ndihmë të mëtutjeshme për këto komunitete,” tha Dominik Drasnar, këshilltar i lartë për komunitete në OSBE.

“Kjo pasqyrë paraqet perspektivën lokale, andaj mund të shërbejë edhe si udhëzues për zhvillimin e programeve që kanë për cak aspekte të ndryshme."

"Psh, nëse donatorët janë të interesuar për një komunë të caktuar, ata kanë informata të gatshme në dispozicion për atë komunë. Ose, nëse janë të interesuar për një fushë të caktuar tematike, si për shembull arsimi, shumë lehtë mund ta shohin se si është gjendja në komunën gjegjëse,” shtoi ai.

Në përputhje me mandatin që ka, Misioni punon në çështje që kanë të bëjnë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Misioni ka fokus të veçantë në sigurimin e përfaqësimit të pjesëtarëve të komuniteteve në proceset e vendimmarrjes, si dhe përqendrohet në zhvillimin e politikave efektive të përfshirjes dhe rritjen e aftësive të tyre të punësimit.

Në vitin 2020, Misioni do të fillojë të sponsorizojë skema gjithëpërfshirëse për punë praktike për të diplomuarit e përzgjedhur nga të tre komunitetet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2020

- Fillon kampionati ekipor në pingpong. (Salla e pingpongut në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media ku do të prezantohet punimi me titull “Pesë gjërat që Qeveria e re e Republikës së Kosovës duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”. (Qendra e Konferencave ‘Orion’, ora 10:30)

- Federata e Arteve Mikse Marciale e Kosovës, mban konferencë për medie në prag të organizimit të Kosova Fighting Series 1. (Shtëpia e Sporteve, ora 11:00)

- Anibar International Animation Festival organizon koncertin me "Brumz Blluz". (Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë, ora 21:30)