22 Gusht 2019

Nga gjithsej 902 premtime te komunave janë përmbushur vetëm 248 premtime

Prishtinë, 8 gusht - Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” progresin e kryetarëve të komunave në përmbushjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017.  

Nga gjithsej 902 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në muajin qershor 2019 janë përmbushur 248 premtime, 110 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 339 premtime kanë filluar të përmbushen ose ka nisma në përmbushjen e tyre, ndërsa për 205 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre. 

Për dallim nga gjashtë mujori i fundit i 2018 ku ishte vërejtur një trend pozitiv në përmbushjen e premtimeve nga fusha e arsimit, në gjashtë mujorin e parë të 2019 kjo fushë ka shënuar ngecje.

Në gjithsejtë 26 komuna të cilat janë pjesë e monitorimit nga Instituti GAP, në fushën e arsimit janë dhënë 126 premtime. Nga to, vetëm 24 premtime rezultojnë të përmbushura.    

Numri më i madh i premtimeve të përmbushura është shënuar në fushën e infrastrukturës, bujqësisë dhe shërbimeve publike. Ndërsa, përveç arsimit, fushat ku ka ngecje në përmbushjen e premtimeve janë ajo e ekonomisë, shëndetësisë dhe e urbanizimit.

Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 komuna, sepse disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore. Komunat si Skenderaj, Mamusha dhe dhjetë komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)