25 Prill 2024

Nga e hëna nis faza e dytë e lehtësimit të masave në Kosovë

Prishtinë, 15 maj - Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti se bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kanë njoftuar nga 18 maji, në Kosovë do të fillojë zbatimi i fazës së dytë të lehtësimit të masave të vendosura në kuadër të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

“Nga e hëna pra me 18 maj kemi paralajmëruar se do të kalojmë në fazën e dytë nga situata epidemiologjike, këto javët e fundit kemi parë se nga masat që kemi ndërmarrë, numrat e infektimeve kanë rënë ndjeshëm, por kemi parë se në javën e fundit kemi pasur ngritje të infektimeve.”, tha Kurti.

Kurti tha se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihpahen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, deklaroi Kurti.

Ai tha se për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, do të vazhdohet me një orar të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.

Kurti tha se faza e dytë nënkupton hapje të ekonomisë dhe lëvizjes më të shumtë të qytetarëve, që, sipas tij, duhet bërë gjithmonë duke respektuar masat parandaluese dhe duke respektuar distancën fizike.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vita, tha se qytetarët duhet të vazhdojnë t’iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sa i takon mundësisë së rifillimit të garave sportive, Vita tha se janë zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit sportiv në Kosovë dhe se është bërë e qartë se nuk do të ketë asnjë mundësi që garat sportive të rifillojnë para datës 2 qershor.

Këto komente, Kurti dhe Vitia i bënë në një konferencë me gazetarë në Prishtinë.

Faza e parë e lehtësimit të masave në Kosovë ka nisur më 4 maj.

Deri më tash, Kosova ka konfirmuar 945 raste me koronavirus; prej tyre 690 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)