03 Dhjetor 2022

Në Prishtinë mbahet seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Prishtinë, 6 tetor - Më 8 deri më 10 tetor 2022 në Prishtinë do të mbahet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin 3-ditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, do të diskutojnë gjithashtu për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.  

Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 dhjetor 2022

- Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës të Sistemit të Alarmit Publik me tinguj të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda. (Prishitnë, ora 12:05)

- Ndihmës administratorja e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për Europë dhe Euroazi, Ambasadorja Erin E. McKee, do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me akterë të ndryshëm duke përfshirë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, bartës të rinj të ndryshimeve etj. (Lokalet e Royal Beverages, Velekincë, Komuna e Gjilanit, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, do të mbajë tubim me vajza e gra. (Teatrin e Qytetit "Avdush Hasani", ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi do të vizitojë Qendrën e Handikos-it në Podujevë. (Objekti i Qendrës në Podujevë, ora 15:30)

- Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit do të shfaqen filma vendor dhe të huaj, ku do të ketë diskutime me me autorët pjesmarrës! (Kino Armata, ora 17:00)
 
- Mbahet ceremonia e mbylljes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit më ç'rast do të behët edhe ndarja e çmimeve. (Kino Armata, ora 19:00 )