07 Shkurt 2023

Në mungesë kuorumi dështon seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit

 Gjilan, 15 shtator - Ka dështuar sërish vazhdimi i seancës së tetë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK, AAK, VATRA, LS) e kanë braktisur atë.

Në mungesë kuorumi, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku e ka ndërprerë seancën dhe ka thënë se pikat e mbetura të rendit të ditës do të barten në mbledhjen e rregullt të asamblesë, e cila mbahet në fund të këtij muaji.

Edhe seanca e sotme, sikurse fillimi i saj, në qershor, përkatësisht vazhdimi në korrik, përpara se Kuvendi të shkonte në pushim, u karakterizua me tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, gjë që çoi te ndërprerja e saj.

Opozita ka insistuar që kryetari i Komunës, Alban Hyseni duhet të kërkojë falje për lëshimin e seancës, të cilën ai e kishte bërë pas ndërhyrjeve dhe ndërprerjeve të shpeshta nga opozita, gjatë fjalimit të tij në Kuvend.  

Sot, Kuvendi do të duhej të vazhdonte me raportin e kryetarit të Komunës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, raportin e punës për vitin 2021 të Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë publike lokale “Higjiena”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena” në Gjilan si dhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë, për hapjen e varrezës për groposjen e kafshëve të ngordhura.  

Përndryshe, në fillim të seancës, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të mjekut Visar Huruglica dhe afaristit Basri Kqiku, të cilët vdiqën dy ditët e fundit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)