25 Prill 2024

Në Kuvend kërkohet shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale

Prishtinë, 22 dhjetor - Në senacën e sotme të Kuvendit të Kosovës, është bërë kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme gjatë ditës së sotme për shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli i ka ftuar shefat e grupeve parlamentare për ta diskutuar një gjë të tillë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar mund të prodhojë situata të reja, që sipas tyre do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala ka thënë në një konferencë për media se kjo tendencë është tepër e rrezikshme dhe fut vendin në aventura të paparashikuara.

"Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet jetike duhet të trajtohen me maturi dhe pa nxitim. LDK e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-në, vendet e BE-së dhe vendet e tjera mike. LDK nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe vendit të futet në rrugë të paqarta", ka thënë Shala.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se nuk e di saktë se cila do të ishte përgjigja e Londrës e as e BE-së për Kosovën nëse e zhbën Gjykatën Speciale, por ka thënë se kjo mund të jetë nata më e rrezikshme e Kosovës që nga pas lufta.

"Kam kërkuar që të ndalet procesi i gjykatës. Kosova i ka dhënë besën Bashkimit Evropian, që do të vazhdoj procesi. Nëse anulohet tash reagimi do të jetë shumë keq për Kosovën . Nuk do dua të them se korrupsioni e krimi i organizuar nuk e dëmton Kosovën sepse këto janë të lidhura me politikën dhe politikanët, por kjo e dëmton dhe e shkatërron Kosovën. Sonte mund të jetë nata me e rrezikshme për Kosovës që nga pas lufta".

Ambasadori amerikan ka qenë i pranishëm në ambientet e Kuvendit prej ku ka shprehur pakënaqësinë e tij për këtë iniciativë.

“Më duhet të them që jam shumë i dëshpëruar për këtë çështje që erdhi papritur, pa ndonjë debat publik dhe që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës. Unë e konsideroj turpëruese.

Në rast se ky propozim kalon do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës dhe do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si thikë pas shpinës", ka thënë Delawie.

Disa orë më parë ambasadori amerikan e ka cilësuar si të tmerrshme një ide të tillë.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë investuar në Kosovë për ta parë derisa e shkatërron të ardhmen e saj në këtë mënyrë.

"​Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale", ka thënë ai.

 

/rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)