29 Mars 2024

Në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur gjithsej 122 kërkesa

Prishtinë, 24 qershor - Nën organizimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me East West Menagement Institute, është zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës një takim me deputetët dhe stafin punues të Kuvendit të Kosovës lidhur me procedurat për paraqitjen e kërkesave për shqyrtim kushtetues nga Kuvendi i Kosovës.

Kryesuesi i takimit dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, e vlerësoi atë si një nismë të mbarë të bashkëpunimit dhe konsultimit të dy institucioneve të pavarura – Kuvendit, si institucioni më i lartë ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese, si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me të. Haliti tha se në bazë të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Gjithnjë sipas dispozitave të Kushtetutës, ai tha se palë e autorizuar për të ngritë një çështje para Gjykatës Kushtetuese, është Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke i shprehur mirënjohje Kuvendit të Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Gjykatës Kushtetuese, foli rreth raporteve ndërmjet këtyre dy institucioneve. Hasani theksoi se Gjykata Kushtetuese është institucion i ri, dhe si i tillë, ka bartë edhe praktikat e reja të funksionimit.

Ai bëri një prezantim të dispozitave kushtetuese mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese lidhur me autorizimet e Kuvendit të Kosovës për të parashtruar kërkesa pranë Gjykatës Kushtetuese.

Zëvendëskryetari i kësaj gjykate, Kadri Kryeziu, duke dhënë një pasqyrë të punës së deritashme të saj, theksoi se Gjykata Kushtetuese që në fillim të punës është përballë me probleme të shumta, të cilat janë tejkaluar. Kryeziu tha se në periudhën 2 shkurt 2009 – 22 qershor 2010, në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur gjithsej 122 kërkesa. Nga to, 114 janë paraqitur nga shqiptarët, dy nga pjesëtarët e komunitetit boshnjak dhe gjashtë nga ata të komunitetit serb.

Detaje rreth Rregullores së korrigjuar të Punës së Gjykatës Kushtetuese, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, paraqiti anëtarja e kësaj gjykate, Snezhana Botusharova.

Në diskutimet e tyre, deputetët e Kuvendit, ndërkaq, shtruan edhe një sërë pyetjesh në adresë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin të bënin me procedurat rreth ankesave, kapacitetet e saj për t’u përballuar me numrin e madh të tyre, por edhe me vendime të kësaj gjykate, siç është ai për emblemën e Komunës së Prizrenit.

Ky takim u vlerësua shumë i rëndësishëm në kuadër të komunikimit të nevojshëm ndërmjet këtyre dy institucioneve të shtetit të Kosovës, Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)