25 Prill 2024

Ndërkombëtaret bëjnë thirrje për mënjanim të politikës në kohë të koronavirusit

Prishtinë, 19 prill - Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedentë shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Përballë kësaj pandemie globale ambasadorët konsiderojnë se politika duhet të lihet mënjanë, dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.

"Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht."

"U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare", thuhet në thirrjen e tyre .

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)