19 Prill 2024

Mungesa e bashkëpunimit pozitë - opozitë i bënë jofunksionale institucionet

Prishtinë, 21 dhjetor - Institucionet e Kosovës po kalojnë kohë të vështira për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID -19 që është e përkohëshme kurse, në anën tjetër mungesa e bashkëpunimit midis pozitës dhe opozitës, edhe për çështje të rëndësisë së veçantë për funksionimin e shtetit, përfundimisht po e futë Kosovën në një krizë të thellë institucionale.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se ndonëse ishte dhe është interes vital i qytetarëve që sa më shpejt dhe sa më lehtë ta kalojnë pandeminë, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe material, ka munguar përkrahja e opozitës për të ndërtuar dhe zbatuar një strategji për luftimin e pandemisë, për më keq opozita e ka përdorur si “mjet lufte“ pandeminë për ta diskredituar pozitën dhe për të provokuar zgjedhjet e parakohshme ndonëse Kosova nuk qëndron keq krahasuar me vendet e rajonit në menaxhimin e pandemisë.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike u votua me një vonesë të pafalshme prej 6 muaj e që u përkrah nga PDK-ë kurse nuk u votua nga LVV.

Lista Serbe sipas KMDLNJ-së po e kërcënon dhe po e shantazhon Qeverinë e Kosovës të merrë vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në të kundërtën do ta përkrahë mocionin për rrëzim të Qeverisës së kryeministrit Hoti.

''Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në vend se të miratojnë ligje dhe të mbrojnë interesin e qytetarit – votuesit, marrin paga të majme, mëditje dhe rrallë herë e përfundojnë seancën me kuorum që paraqet shkelje të rëndë të etikës profesionale dhe zotimit ndaj qytetarit.''

''Në Kuvendin e Kosovës kemi një situatë absurde; Lista Serbe bojkoton punën e Qeverisë së Kosovës shkaku se nuk i realizohen kërkesat shantazhuese dhe kjo, nga shumica e suvbjekteve politike si dhe deputetëve kalon në heshtje kurse, në anën tjetër, pa asnjë të drejtë ligjore nuk i lejohet pjesëmarrja një ministri të kabinetit qeveritar në seancën e Kuvendit në kuadër të përgjegjësive që i ka si minister'', thekson KMDLNJ.

Deputeti apo deputetët nuk kanë të drejtë të lejojnë apo, edhe më keq të zbatojnë standarde të dyfishta për faktin se Kuvendi e mbikëqyr punën e Qeverisë, duke mos bërë dallime midis subjekteve politike.

Pozita dhe opozita nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për çështje që e përcaktojnë dhe përkufizojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran  e që brutalisht po kundërshtohet nga Serbia, Lista Serbe sikur që shumë po dëmtohet nga mungesa e unitetit midis pozitës dhe opozitës.

Në rrethanat ekzistuese, pavarësisht se sa vota do të ketë pozita (edhe pas zgjedhjeve të parakohshme eventuale), nuk mund të arrihet një Marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa një konsensus politik dhe kombëtar andaj është i papranueshëm bojkoti i opozitës për këtë çështje.

Edhe për postin e presidentit po thyhen shtizat duke e kushtëzuar këtë post me shkuarje në zgjedhje të parakohshme e që aspak nuk siguron se presidenti do të zgjidhet pas këtyre zgjedhjeve,  nëse mungon një konsensus politik dhe nëse si kriter përdoret karshillëku politik, nga pozita e të fortit.

Po ka probleme edhe për miratimin e buxhetit për vitin 2021 e që është jashtë çdo logjike të shëndoshë, aq në parë, që, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID -19 kemi një gjendje të jashtëzakonshme, ku mund të diskutohet për një buxhet të mbijetesës e jo një buxhet zhvillimor.

Për KMDLNj –në, kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme ështe e ligjshme dhe demokratike mirëpo, paraprakisht duhet të përmbushen disa kushte siç është miratimi i Buxhetit të Kosovës (pa buxhet nuk mund të organizohen zgjedhjet), eventualisht  të arrihet marrëveshja për një president konsensual dhe përfundimisht të caktohet data e zgjedhjeve, gjithashtu me marrëveshje të të gjitha subjekteve politike.

Deri atëherë duhet të manifestojnë një kulturë demokratike sikur që opozita duhet ta luaj një rol konstruktiv dhe, deri në ditën e fundit të qeverisjes aktuale kjo qeveri duhet të pranohet si qeveri legjitime sepse është e tillë dhe është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kosova është në probleme të mëdha, do të përballet me probleme edhe më të mëdha, sidomos pas përfundimit të pandemisë dhe vazhdimit të bisedimeve me Serbinë.

Mungesa e bashkëpunimit pozitë – opozitë edhe për çështje vitale për shtetin, pandemia dhe humbja e madhe e vendeve të punës, varfërimi galopant i qytetarëve të Kosovës, pasiguria ekonomike, sociale, politike dhe e sigurisë e rëndojnë edhe më shumë funksionimin normal të shtetit andaj, nëse duam të kemi shtet, duhet të sillemi si ndërtues të shtetit, politikanë dhe qytetarë, çdonjëri në saje të përgjegjësive që i ka!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)