19 Prill 2024

Mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat, janë themelet e drejtësisë sociale

Prishtinë, 7 nëntor - “Të drejtat, qasja e barabartë në burime financiare, shërbime dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, janë themelet e drejtësisë sociale”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në publikimin e librit të përkthyer në gjuhën shqipe “Ekonomiksi Gjinor” të autores Joyce P. Jacobsen, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti tha se përfshirja e grave me pjesëmarrje e përfaqësim, në hartim të politikave e vendimmarrje, i hap udhë progresit e transformimit të shoqërisë. Vetëm kështu mundësohet që gjysma e potencialit, aftësive dhe talentit të popullsisë të mos lihet anash.

Duke folur për masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për mbështetje të grave dhe vajzave, kryeministri Kurti tha se përmes integrimit gjinor në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike janë dizajnuar masa specifike për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim dhe punësim.

“Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo nga e cila kanë përfituar mbi 3,500 gra dhe 1,490 biznese. Kemi mbështetur bizneset që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro (491,988), kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro. Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja,  deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona."

"Po mbështesim financiarisht Strehimoret që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale dhe ri-integrimit të tyre. Për vitin akademik 2021/2022, kemi ndarë 1365 bursat për gra dhe vajza për studime në STEM. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara. Kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës. E në bujqësi, për vitin 2021 kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese”, tha kryeministri Kurti.

Më pas, ai tha se nuk është i mjaftueshëm integrimi. Duhet çlirimi. Nuk është e mjaftueshme përfshirja. Duhet pjesëmarrja. Margjinalizimi, përjashtimi, çfarëdo lloj diskriminimi, është në thelb mungesë e lirisë.

"Nuk mund të jesh edhe i lirë edhe i margjinalizuar; edhe i lirë edhe i përjashtuar; edhe i lirë edhe i diskriminuar. Andaj, nevojitet çlirimi dhe për çlirim nevojitet solidariteti. Gratë dhe vajzat duhet të jenë solidare me njëra-tjetrën në përpjekjet dhe betejat e tyre të përbashkëta dhe burrat edhe djemtë duhet t’i ndihmojnë ato", tha kryeministri.

Në këtë promovim të këtij libri me 500 kopje, që pjesa më e madhe e tyre do të ngelen këtu në Fakultetin Ekonomik për nevojat e studentëve dhe studiuesve të Universitetit të Prishtinës, jam i lumtur që po marr pjesë, sepse unë jam i bindur, që edhe dija edhe studimi edhe emancipimi, vijnë nga leximi, vijnë edhe nga diskutimi, por vijnë sidomos nga leximi, tha Kryeministri Kurti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)