20 Prill 2024

MSA themel për procesin e Kosovës në integrim evropian

Prishtinë, 1 prill - “Kosova është Evropë edhe në gjeografi, në ideologji, por edhe në bindjet politike. Si popull ne i takojmë Evropës dhe destinacioni ynë është Evropa. Për fat ne kemi edhe kontratën e përbashkët Asociim Stabilizimin, që e filluam me 2016, e që është baza jonë e punës së ndërsjellë, e zbatimit të kritereve, të standardeve të BE-së që Kosova të bëhet edhe vend kandidat, por edhe të arrijë anëtarësimin e plotë në BE”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  në  tryezën e organizuar nga Instituti EPIK, në trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se e rëndësishme është se Kosova është pjesë e IPA programeve dhe për këtë falënderoi BE-në për përkrahjen dhe ndihmën që i ka dhënë Kosovës në shumë programe, për ndihmën e dhënë në reformën shtetërore, administrative, por edhe projekte të tjera, jo vetëm në infrastrukturë, rend dhe ligj, gjyqësor, reformat në administratë, por edhe ato që kanë të bëjnë me edukimin, shëndetësinë, por edhe me shoqërinë civile.

“Ne tani kemi të përpjesëtuar zbatimin e MSA-së, të ndarë si ERA 1 dhe ERA 2. Janë disa vështirësi në kohët e fundit të ndërlidhura edhe me dialogun dhe proceset tjera që kanë ndodhur, megjithatë ju siguroj se Qeveria e Kosovës nuk e ka hequr fokusin në zbatimin e MSA-së dhe punon ngushtë me gjithë ekipin e ambasadores Apostolova në Kosovë, në zbatim të MSA-së”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, theksoi se një plagë e mbetur në marrëdhëniet Kosovë-BE, është pamundësia e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, duke shprehur falënderim për Komisionin dhe komisionerin Avramopoulos për përkrahjen dhe shprehjen e besimit për të drejtën për të lëvizur lirshëm edhe qytetarët tanë.

“Më vjen mirë që Parlamenti i BE-së po ashtu i ka dhënë përkrahje në shumicë, njëkohësisht shpresoj se edhe qeveritë veç e veç, ministrat e brendshëm, do ta japin përkrahjen dhe do ta marrin vendimin në një të ardhme të afërt për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Evropë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo do të ishte një ndihmesë e ndërsjellë, meqë Evropa do të fitonte rreth 2 milionë konsumatorë, jo vetëm të turizmit, por edhe të shkollimit, kulturës, artit, sportit, të të bërit biznes.

Duke u ndërlidhur me këtë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk eksporton as refugjatë dhe as krime, sepse rendi dhe ligji janë në përparim në Kosovë dhe fakti se dëgjojmë shumë lajme të këqija, është lajm i mirë, sepse kjo do të thotë që mediat janë të lira dhe raportojnë dhe po ashtu sistemi ligjor i Kosovës ka avancuar dhe po ballafaqohet me këto probleme.

”Gjithë këto aktakuza, janë dëshmi se Kosova po përballet dhe nuk po e fsheh ndonjë vepër të jashtëligjshme të askujt. Me këtë i siguroj qytetarët e vendeve të BE –së se keni një vend dhe një shoqëri me vetëdije”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, falënderoi rolin e Rumanisë e cila është në presidencën e BE-së, duke thënë se do të ishte mirë që ajo të marr guximin dhe të paraqes agjendën tonë për liberalizim, e po ashtu beson se gjatë presidencës së radhës nga Finlanda, qytetarët e Kosovës do ta marrin lajmin e mirë.

Taulant Kryeziu, përfaqësues i Institutit EPIK, tha se MSA është dokumenti më jetik për të ardhmen evropian për vendin tonë.

Shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova, tha se MSA është një themel për procesin e Kosovës në integrim evropian, dhe i takon Kosovës që ta shfrytëzoj sa më mirë MSA-në për qytetarët e saj.

Ndërsa, ambasadorja e Finlandës në Kosovës, Pia Stjernvall, tha se Finlanda do ta mbështesë Kosovën në këtë rrugëtim, ndërsa sa i përket kontributit në BE, tha se beson  në financimin e reformave në Kosovë për të avancuar Kosovën dhe për ta ofruar më afër BE-së. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)