26 Prill 2024

Miratohet rezoluta kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 15 janar - Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështeti sot vendimin e qeverisë për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë mbi ndryshimet kushtetuese, që mbahet të dielën.

Seanca filloi me një minutë heshtje në nderim dhe përkujtim të  45 viktimave të Masakrës së Reçakut, të cilët u vranë dhe u masakruan 23 vjet më parë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thirri mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit, një ditë pasi bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryetarin e parlamentit, Glauk Konjufca, refuzuan thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të lejuar mbajtjen e referendumit edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme, për organizimin e së cilës kryeministri Kurti i drejtoi dje kërkesë Kuvendit, ishte diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Për të siguruar aplikim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e të legjislacionit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit, votimi në këtë referendum mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse ose edhe përmes postës, theksoi kryeministri Kurti në fjalën e tij në kuvend.

Kryeministri Kurti tha se kjo do të ishte shkelje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

“Për të siguruar aplikim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e të legjislacionit të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit, votimi në këtë referendum mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse (serbe në Prishtinë) ose edhe përmes postës”, tha kryeministri Kurti.

Partia Demokratike në opozitë ndonëse mbështetë qëndrimin institucional nuk mori pjesë në seancë, ndërsa dy partitë tjera opozitare Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës votuan në favor të qëndrimit qeveritar.

“Kjo tendencë është jo kushtetuese, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare, është praktikë në kundërshtim me parimet e demokracisë. Referendumi i Serbisë që mohon integritetin territorial të Kosovës dhe rendin tonë kushtetues, bëhet edhe më i papranueshëm, Kosova ka arsye që ta refuzojë këtë referendum. E paqartë megjithatë mbetet nevoja e kësaj seance dhe nxjerrja e kësaj rezolute”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Votimi me postë dhe zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, përmbushë standardet ndërkombëtare. AAK-ja kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos lejojnë cenimin e rendit kushtetues. AAK-ja mbështet institucionet e Kosovës në zbatimin e ligjit”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiç, bëri thirrje që t’i jepet fund, siç tha ai, “fushatën kundër serbëve në Kosovës”.

“Edhe një herë nga ky vend, në emrin tim personal, në emër të Listës Serbe, popullit serb, ju ftojmë të ndryshoni vendimin tuaj dhe të mundësoni referendumin në përputhje me parimet aktuale. Kjo është një thirrje për arsye, një thirrje për përgjegjësi, që të fillojmë të respektojmë popullin tonë dhe të drejtat e tyre themelore njerëzore”, tha ai, pas fjalimit të të cilit deputetët e kësaj liste lëshuan sallën e parlamentit, siç u tha, “për të mos legjitimuar” një qëndrim kundër serbëve.

Të dielën me 16 janar, Serbia mban një referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Beogradi ka paralajmëruar pasoja afatgjata nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e tij në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian shprehën keqardhjen që “qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e së dielës” duke ju referuar praktikës së mëhershme të grumbullimit të votave për zgjedhjet e Serbisë nga misioni i OSBE-së.

Policia e Kosovës tha të shtunën se ndaloi në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy kamionë me fletëvotimet për referendumin e Serbisë.

Gjashtë persona janë intervistuar dhe më pas janë kthyer mbrapa në Serbi, thuhet në njoftimin e policisë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se i ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, ndërsa kritikoi Misionin e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që “nuk mori përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdarë, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”.

Misioni i kësaj organizate në Kosovë tha të shtunën se kishte qenë i gatshëm për grumbullimin e votave, por për këtë nevojitet pëlqimi i të gjitha palëve.

Në mungesë të pëlqimit, një gjë e tillë është e pamundur, thuhet në një deklaratë të këtij misioni, në të cilin nënvizohet se për më tepër, në kohën e pandemisë, planifikimi dhe zbatimi i një operacioni të tillë kërkon kohë shtesë për të garantuar sigurinë e personelit mbështetës zgjedhor dhe votuesve.