19 Prill 2024

Ministrja Tahiri ka përmbyllur vizitën në SHBA

Washington, 18 korrik - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri së bashku me delegacionin në ditën e fundit të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi takime në Agjencinë e Shërbimeve të Përgjithshme Administrative, në Kongresin Amerikan, në Asociacionin e Amerikan të Shkollave të Administratës Publike (NASPAA), si dhe dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Në Agjencinë Shtetërore të Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), ministrja Tahiri u prit nga drejtoresha Martha N. Johnson, e cila me këtë rast foli për veprimtarinë e Agjencisë në ofrimin e shërbimeve administrative sa më efikase dhe më cilësore për nivelet federative të administratës amerikane.

 Johnson foli në veçanti për reformat në fushën e shërbimeve administrative, duke vënë theksin te praktikat e prokurimit publik, ku janë bërë ndryshime thelbësore, duke kaluar nga parimi i çmimit më të ulët në parimin e vlerës, si një reformë që ka rritur efektivitete të larta të punës.  

Ajo vuri në pah rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe ndarjes së qartë të punës në organizatë, me qëllim që performancat të arrijnë standarde të larta.

Nga ana e saj, ministrja Tahiri  e falënderoi për takimin dhe e njoftoi bashkëbiseduesen mbi punën e administratës publike të Kosovës dhe procesin e reformave, i cili është në rrjedhë me synimin për modernizimin dhe racionalizmin e saj.

Ajo vlerësoi takimin si një nismë e rëndësishme në fushën e bashkëpunimit mes MAP-it dhe GSA, duke thënë se përvojat e GSA mundësojnë marrjen e ekspertizave në aspekte të ndryshme të shërbimeve administratës, si dhe zgjerojnë bazën e njohurive për të cilat ka nevojë Kosova, si shtet i ri.

Më pas, ministrja Tahiri qëndroi në Kongresin amerikan, me ç’rast u takua me Jason Steinbaum, drejtor i Zyrës së kongresistit Eliot Engel, dhe Chris Cunningham nga zyra e kongresistit Earl Pomeroy.

Në këtë takim, së bashku me falënderimet për angazhimet dhe përkrahjen e vazhdueshme, ministrja Tahiri foli për rrjedhat e përgjithshme në Kosovë, për prioritet dhe sfidat, duke veçuar sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, reformën e administratës publike  dhe integrimet euro-atlantike, si prioritete kryesore në këtë fazë të zhvillimit të vendit.

Ajo po ashtu u ndal te strategjia për veriun, ku përmendi hapat e ndërmarra deri më tani dhe vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, që me një qasje të matur e të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë të konsolidojë sovranitetin në këtë pjesë të vendit dhe integrimin e plotë të kësaj pjese të serbëve.  Në këtë takim po ashtu u bisedua për angazhimet e kongresistit Engel dhe Komitetit Shqiptaro-Amerikan në Kongres, për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën, sidomos nga vendet e Amerikës Latine.

Një takim tjetër i radhës ishte vizita në NASPAA (Asociacioni i Shkollave të Administratës Publike Amerikane) ku në takim me Scot Talan, drejtor për Marrëdhënie me Jashtë, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit në administratën publike, duke marrë parasysh se SHBA shquhen për shkolla prestigjioze në këtë fushë.

Ministrja Tahiri, u angazhua për gjetjen e mundësive që një nga këto universitete të hapin programe master në fushën e administratës publike në Kosovë, si një kontribut për ngritjen arsimore të gjeneratave të reja të shërbyesve civil të Kosovës. Përfaqësuesi i NASPAA-s premtoi sensibilizimin për këtë çështje dhe hulumtimin e ofertave të  mundshme nga institucionet akademike amerikane.

Në përfundim të vizitës, ministrja Edita Tahiri, dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”,  ku mes tjerash foli për rezultatet e vizitës në SHBA, për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në reformimin e administratës publike, si dhe rrjedhat e fundit ndërkombëtare për Kosovën.

Për sa i takon pyetjes rreth opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, i paralajmëruar për datën 22 korrik 2010, zonja Tahiri tha se pret që të fitojë drejtësia dhe argumentet e aleatëve tanë, SHBA-ve  dhe Evropës, të  cilat janë në favor të pavarësisë së Kosovës. Por, edhe nëse opinioni është neutral, përsëri do të jetë në anën tonë, sepse një qëndrim i tillë nuk jep përgjigjen e pritur nga Serbia lidhur me legjitimitetin e deklarimit të pavarësisë, tha  ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)