19 Prill 2024

Ministrja Hoxha: Kemi kryer detyrat tona, presim vendimmarrje nga BE-ja

Prishtinë, 28 mars - Sot, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, ka raportuar lidhur me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ministrja theksoi se këtë vit, do të liberalizohen vizat, ngase, edhe kriteri për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është plotësuar, ne i kemi kryer detyrat tona, presim vendimmarrje nga BE-ja.

Në qershor 2012, Kosova pranoj udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, theksoi Ministrja Hoxha, udhërrëfyesi ka përmbajtur 95 kritere që duhet përmbushur.

 “Që nga ajo kohë, institucionet e Kosovës kanë qenë subjekt i vlerësimit më rigoroz që është aplikuar ndonjëherë nga BE-ja, në kuadër liberalizimit të vizave. Me anë të një pune intensive, ne kemi arritur të bindim institucionet e BE-së që Kosova ka kapacitet të zbatoj obligimet e saja në kuadër të procesit të integrimit Evropian. Kemi dëshmuar se përtej retorikës dhe premtimeve, jemi në gjendje të marrim masa dhe të dëshmojmë rezultatet konkrete si partner i barabartë me Bashkimin Evropian.

  Më tej, Ministrja Hoxha ka theksuar se Komisioni Evropian ka bërë katër vlerësime të përmbushjes së prioriteteve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, respektivisht, në shkurt 2013, korrik 2014, dhjetor 2015 dhe maj 2016.

“Raporti i fundit i muajit maj 2016 ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian do të bëjë propozimin për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 për liberalizim të vizave me Kosovën. Raporti njëkohësisht ka nënvizuar se deri në ditën e miratimit të propozimit për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001,

Kosova do të ratifikoj marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe do të bëjë progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vuri në dukje Ministrja Hoxha.

Në këtë kontekst, potencoi Ministrja, më 21 Mars, Kuvendi plotësoi edhe kriterin kyç të mbetur – ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit te Republikës së Kosovës që votuan pro dhe mundësuan plotësimin e këtij kriteri kyç, duke përshpejtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, theksoi Ministrja Hoxha.

“Në kuadër vizitës së Presidentit Juncker, institucionet e Kosovës kanë bërë dorëzimin e raportit për përmbushjen e kriterit të dytë, respektivisht vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në kuadër të Ekipit të Përbashkët për Luftimin e Krimeve Serioze, respektivisht udhëheqjen e Prokurorisë Speciale: Janë shënjuar 39 raste, janë ngrit 30 aktakuza, 23 raste janë në shkallët e ndryshme të shqyrtimit gjyqësor, 7 raste janë përmbyll në formë të vendimit të prerë”, theksoi Ministrja.

“Vlerësimi  i jonë është që për qëllime të liberalizimit të vizave, kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm që lufta kundër kësaj dukurie duhet intensifikuar edhe më shumë, pasi që progresi në këtë fushë është fillimisht në interes të qytetareve tonë, dhe më pastaj të Bashkimit Evropian”, theksoi Ministrja Hoxha.

Po ashtu, ministrja Hoxha foli edhe për hapat e ardhshëm.

“Synimi ynë është që gjatë këtij viti të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme institucionale të BE-së për të siguruar plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 të Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Ministrja Hoxha.

Hapat, sipas Ministres janë shtatë, si në vijim: Fillimi i negociatave për plotësim ndryshim i Rregullores 539/2001 në mes tri institucioneve kryesore të BE-së, Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, Miratimi i Rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian, Miratimi i Rregullores nga Këshilli i Ministrave, Ceremonia e nënshkrimit, publikimi në gazetën zyrtare dhe Hyrja në fuqi.

“Ne presim që e gjithë procedura e cekur të mos merr më shumë se 6 muaj. Kjo është një përvoje kohore në rastin e Gjeorgjisë. Mirëpo, duhet nënvizuar që tani institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat e veta dhe përgjegjësia është në anën e institucioneve të BE-së për të marr hapa institucional në afat sa më të shkurtër kohor”, theksoi Ministrja Hoxha.

Votimi në Këshill do të jetë bazuar në shumicë e dyfishtë - apo me fjalë tjera duhet të votojnë 16 vende anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE-së, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se në seancën plenare të Parlamentit Evropian, votimi do të bëhet me shumicë te thjesht në leximin e parë dhe në lexim të dytë me shumicë absolute.

“Ende na pret shumë punë dhe procesi do të vazhdoj sipas procedurave përkatëse, unë si Ministre e Integrimit, do të vazhdoj punën intensive në bashkëpunim me gjitha institucionet shtetërore për të përmbyllur procesin e liberalizmit të vizave”, theksoi Ministrja.

Më pastaj anëtarët e Komisionit parlamentar parashtruan edhe pyetje tjera lidhur me liberalizimin e vizave, me ç’rast, Ministrja Hoxha dha përgjigje në pajtim me gjendjen dhe angazhimin që po bëhet në këtë proces. Ne i kemi kryer detyrat tona, presim vendimmarrje nga BE-ja, ka theksuar Ministrja Hoxha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)