20 Prill 2024

Ministrja Edita Tahiri vazhdon vizitën në SHBA

Washington, 15 korrik - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, u prit në dy takime të ndara në Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe në Agjencitë Shtetërore të Administratës Publike dhe Byronë e Regjistrimit të Popullsisë së SHBA-ve.

Në Departamentin amerikan të shtetit, ministrja Tahiri u takua me znj. Jennifer Brush, Drejtoreshë e Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore. Në këtë takim u bisedua për arritjet e Kosovës në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, si dhe për sfidat e shtet ndërtimit dhe avancimin e proceseve drejtë integrimeve euro-atlantike.

Znj. Brush shprehu kënaqësinë që e takon përsëri znj. Tahiri, tashmë në rolin e Ministres së Administratës Publike të Republikës së Kosovës, si dhe vlerësoi politikat vizionare dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës gjatë dy viteve të pavarësisë.

Duke folur për angazhimet e SHBA-ve në mbështetje të Kosovës, znj. Brush tha se Kosova është një vend mik i SHBA-ve dhe se qeveria amerikane mbështet fuqishëm shtetin e pavarur të Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij, vlera këto të arritura me shumë mund nga populli i Kosovës.

Si njohëse e mirë e rrethanave në Kosovë dhe rajon, që nga vitet e 90-ta, ku ka ushtruar misione të rëndësishme shtetërore në emër të Qeverisë amerikane, znj. Brush theksoi se Kosova dhe gjithë vendet tjera të rajonit duhet të ecin me hapa më të shpejtë drejt integrimeve euro-atlantike, duke nënvizuar se bashkëpunimi rajonal dhe politikat konstruktive janë garanci për një të ardhme më të mirë për të gjithë. 


Ministrja Tahiri, duke evokuar kujtime nga periudhat e më hershme të bashkëpunimit me znj. Brush, e falënderoi atë për kontributin e dhënë gjatë kohës kur Kosova ka qenë e okupuar dhe për rolin e rëndësishëm që znj. Brush ka luajtur në çështjen e të drejtës së Kosovës për liri dhe pavarësi.

Duke falënderuar në mënyrë të përsëritur Qeverinë amerikane për mbështetjen konsekuente për shtetin e Kosovës, ministrja Tahiri siguroi zonjën Brush se politikat shtetërore të Kosovës kanë për synim krijimin e një shteti të suksesshëm, mbi vlera të demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe të një shteti ekonomikisht të zhvilluar që garanton mirëqenie dhe perspektivë për të gjithë.

Në këtë kontekst, ministrja Tahiri foli për zbatimin e strategjisë për veriun në kuadër të politikave integruese për pjesën serbe në veriun e Kosovës si dhe kërkojë mbështetjen amerikane ne përballimin e kësaj sfide. Po ashtu, ministrja Tahiri foli për rëndësinë e reformimit të administratës publike dhe angazhimet qeveritare për të profesionalizuar dhe modernizuar atë, duke ndërtuar një administratë jashtë ndikimeve politike.

Ministrja Tahiri  shtoi më tej se kapitali njerëzor me të cilin disponon Kosova, në mënyrë të veçantë brezi i të rinjve, së bashku me politikat vizionare për shtet ndërtim dhe bashkëpunimi i ngushtë me aleatë dhe partnerë ndërkombëtar, përbëjnë bazën e prosperitetit të vendit dhe arritjen e synimeve të popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike.

Të dy bashkëbisedueset në takim, u akorduan se aleanca e ndërtuar prej vitesh mes Kosovës dhe SHBA-ve, do të vazhdojë të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen, përmes një bashkëpunimi të ngushtë në të gjitha planet.

Në takimin tjetër në Departamentin e Shtetit, ministrja Edita Tahiri u prit në Zyrën për Koordinimin e Ndihmave për Evropë dhe Euro-Azi, nga z. Henry Kelley, drejtor për Demokraci. Në këtë takim znj. Tahiri foli për aktivitetet e Ministrisë së Administratës Publike dhe projektet të cilat po i zbaton dhe planifikon t’i zhvillojë në të ardhmen MAP-i, duke u fokusuar në reformën e administratës publike, përmes së cilës synohet ndërtimi i një administrate publike profesionale, të përgjegjshme, transparente dhe moderne.

Ajo vuri në pah objektivin për edukimin profesional të shërbyesve civil të Kosovës, sipas traditave të vendeve të zhvilluara, siç janë SHBA-të dhe kërkoi mbështetje  në këtë drejtim. Znj. Tahiri po ashtu e njoftoi për përgatitjet që Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Administratës Publike, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, po i bëjnë për organizimin e procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive familjare dhe të Banesave në Republikën e Kosovës dhe nevojën që ky proces të fitojë mbështetje edhe më të madhe nga shtetet mike të Kosovës.

z. Kelley tha se ndihma e Shtetit Amerikan për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe se janë të kënaqur me nismat që ka ndërmarrë Kosova në investimet në infrastrukturë, në dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës dhe privatizimin e ndërmarrjeve të tjera, si një kusht i rëndësishëm për zhvillim ekonomik të vendit, me qëllim rritjen e punësimeve.

Në vazhdim të vizitës, agjenda e ministres Tahiri u fokusua në takime me agjencitë shtetërore nga fusha e administratës publike, me qëllim të marrjes së përvojave nga modele të shquara amerikane.

Në këtë kontekst, ministrja Edita Tahiri vizitoi Agjencinë për Etikë në Qeverisje, ku me drejtorin, z. Robert I. Cusick, bisedoi për praktikat e zbatimit të etikës në qeverisje. Z. Robert I. Cusick njoftoi znj, Tahiri për misionin dhe veprimtarinë e Agjencisë që drejton duke vënë theksin në rëndësinë e promovimit të etikës në qeverisje, si kulturë e domosdoshme dhe obligim i shërbimit civil.

Ai veçanërisht nënvizoi rëndësinë e sistemit të llogaridhënies dhe inspektimeve të veprimeve të zhdrejta, si mekanizma për matjen dhe avancimin e etikës, në veprimtarinë e shërbyesve civil. Znj. Tahiri, tha se Ministria e Administratës Publike është e angazhuar thellësisht në afirmimin e vlerave etike, si element bazë për administrim më të mirë, duke potencuar se legjislacioni i Kosovës reflekton këto vlera.

Sfida që kemi përpara është vënia në jetë e tyre, ka thënë ajo. Z. Robert I. Cusick, i premtoi mbështetje Ministrisë e Administratës Publike në përpjekjet për konsolidimin e vlerave etike në administratën publike të Kosovës.
Më pas, znj. Tahiri vizitoi Bordin e Sistemit për Mbrojtjen e Meritave të SHBA-ve, me ç’rast zhvilloi një takim të gjatë me zëvendës drejtoreshën e Bordit, Anne M. Wagner, anëtaren e Bordit, Marz M. Rose, Drejtorin e Departamentit për analiza, John L. Krum dhe Drejtorin ligjor Mathew D. Shannon.

Në këtë takim u trajtuan përvojat amerikane në çështjen e sistemit të meritave në administratën publike dhe rëndësia e mbrojtjes së këtij sistemi. Veçanti e këtij takimi ishte analiza krahasuese mes sistemit amerikan dhe sistemit të Kosovës në fushën e shërbimit civil, të cilën analizë e prezantuan në hollësi përfaqësuesit e Bordit, duke konstatuar mes tjerash se dy vendet kanë sistem të ngjashëm, të bazuar në merita.

Të pranishmit në këtë takim thanë se e vlerësojnë lart përmbajtjen e dy ligjeve të reja që ka miratuar Kosova-Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe Ligjin për Pagat e Nëpunësve Civilë, duke thënë se janë ligje mjaft të avancuara dhe kanë shumë të përbashkëta me modelet e sistemit amerikan. Në këtë takim po ashtu u bisedua për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit mes dy institucioneve, me qëllim të avancimit të performancave të shërbyesve civil të Republikës së Kosovës.

Duke pasur parasysh projektin madhor të Regjistrimit të popullsisë dhe përgjegjësitë e MAP-it në këtë sfidë, ministrja Edita Tahiri, zhvilloi një takim pune me z. Robert M. Groves, Drejtor i Byrosë së Regjistrimit të SHBA-ve.

Në këtë takim znj. Tahiri e njoftoi z. Groves për përgatitjet që po i bën Kosova për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive familjare dhe të Banesave, duke theksuar në veçanti përkushtimin e institucionit që ajo e drejton për realizimin sa më të suksesshëm këtij projekti me rëndësi nacionale.

 “Objektivi ynë është të dalim me rezultate të qëndrueshme, që sigurojnë legjitimitet të plotë vendor dhe ndërkombëtarë” tha ministrja Tahiri dhe shtoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Kosovën ngase po ndodh pas tre dekadash.

Robert M. Groves, nga ana e tij, njoftoi për rrjedhat e procesit të Regjistrimit, të sapo përfunduar në SHBA, si dhe bëri një analizë të aspekteve kryesore të procesit të Regjistrimit në përgjithësi. Ai premtoi bashkëpunim dhe mbështetje për Kosovën në veprimtarinë e statistikave dhe të regjistrimit.  

Në këto takime, ministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, z. Avni Spahiu dhe këshilltarët politik të kabinetit, Dren Zeka, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)