19 Prill 2024

Ministria e Integrimeve me ushtrues detyre në tri pozita udhëheqëse

Prishtinë, 1 korrik - Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar si mangësi në Ministrinë e Integrimeve Evropiane mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre. Po ashtu, në këtë raport është bërë e ditur se ka ndodhur një nënshkrim i një kontrate në mospajtim me kërkesat e dosjes së tenderit.

Sipas të gjeturave të ZKA-së, sa i përket mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre, thuhet se në këtë ministri tri pozita udhëheqëse mbahen me ushtrues detyre.

“Ne kemi vërejtur se në MIE tri pozita udhëheqëse mbahen me ushtrues detyre, duke tejkaluar limitin e lejuar për mbajtjen e pozitës në formë të tillë. Një nga këto pozita mbahet me UD që nga viti 2015, derisa dy të tjerat nga maji i vitit 2017, për shkak se zyrtarët që i kanë mbajtur këto dy pozita, ishin në pushim pa pagesë, me qëllim të avancimit profesional”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Mbajtja e pozitave të punës me ushtrues detyre në periudha të gjata, sipas raportit të ZKA-së është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme dhe mund të ndikojë në cilësinë e performancës operacionale të entitetit.

Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që ministrja duhet të sigurojë që të gjitha pozitat udhëheqëse të ushtrohen me kontrata të rregullta të punës, e që kësaj duhet t’i paraprijë konkursi publik i zhvilluar në pajtim me rregullat në fuqi.

Gjithashtu, ZKA ka evidentuar një nënshkrim të kontratës jo në pajtim me kërkesat e dosjes së tenderit.

“Kontrata e nënshkruar për “Furnizim me inventar për nevojat e MIE-së”, në vlerë prej 7,025 euro, sipas kërkesës së dosjes se tenderit parashihte furnizimin me 14 artikuj. Të gjitha procedurat si dhe vlerësimi i ofertave financiare është bërë përkitazi me këto kërkesa. Mirëpo kontrata e nënshkruar me operatorin ekonomik fitues, kishte specifikuar se Ministria do të furnizohet vetëm me gjashtë artikujt nga lista e artikujve të ofertuar. Kjo është në kundërshtim me kërkesat të cilat janë paraqitur nga entiteti në dosjen e tenderit si dhe me kërkesat e Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik A01 (Neni 47.40). Për më tepër, po të ishte bërë kërkesa vetëm për artikujt të cilët janë kontraktuar, oferta e OE fitues rezulton të jetë për 320€ më e lartë sesa oferta e dytë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA rekomandon që ministrja duhet të sigurojë se me rastin e shpallës së njoftimeve për furnizim, të bëhen analiza më të detajuara të kërkesave të paraqitura nga njësitë kërkuese dhe të aprovohen vetëm kërkesat e arsyetuara. Po ashtu, rekomandohet që kontratat të nënshkruhen sipas kërkesave të parapara në dosjen e tenderit.

Raporti flet edhe për mos përmbushjen e plotë të planit vjetor të auditimit, ku thuhet se Njësia e Auditimit të Brendshëm (NJAB) për vitin 2017 kishte planifikuar që të kryejë katër auditime dhe një auditim me kërkesë nga menaxhmenti.

“Nga ky plan kishte arritur që t’i përfundoj tri, auditime të rregullta duke mos përmbushur planin. Derisa nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga menaxhmenti për ndonjë auditim”, thuhet në raport.

Ndërsa, sa i përket zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm, raporti thotë se përkundër progresit të arritur mbetet të punohet më shumë për adresimin e tyre në tërësi, në mënyrë që të evitohen çështjet të përsëritura ndër vite.

“Raporti ynë i auditimit për PFV-të e MIE-së, të vitit 2016 kishte rezultuar në gjashtë rekomandime. MIE kishte përgatitur një Plan Veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’i zbatoj rekomandimet e dhëna. Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2017, katër rekomandime ishin zbatuar, një ishte në proces dhe një nuk ishte adresuar ende. Po ashtu, nga viti 2015 ishin bartur edhe tri rekomandime (të pa zbatuara). Dy nga këto rekomandime në vitin 2017 janë zbatuar në tërësi ndërsa një rekomandim nuk ishte zbatuar”, thuhet në raport.

Megjithatë, raporti thotë se Ministria e Integrimeve Evropiane në përgjithësi ka kontrolle të mira në raport me obligimet ligjore të saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)