29 Mars 2024

Mbahet Akademia Solemne dedikuar 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Prizren, 10 qershor  – “Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohërat e vështira, shqiptarët duhet të punojnë gjithë për ditë të vështira, se ato një herë apo njëherë tjetër vijnë. Burrat e dheut të asaj kohe, shqiptarë kudo që ishin, shihet se kishin menduar ndër vite se mund t’u vije ajo ditë. Edhe Ymeri, Abdyli, Sulejmani, por edhe shumë tjerë, që nuk ishin fizikisht në Lidhjen e Prizrenit, shihet se kishin menduar për atë ditë. Kishin punuar që në ditën e caktuar edhe shqiptarët ta japin përgjigjen e vet për të drejtën e vetë, pra për të drejtën e organizimit në vetvete”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në Akademinë Solemne dedikuar 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se edhe sot dhe përmot duhet të punojmë për një ditë të këtillë, dhe në atë ditë duhet të gjithë të jemi aty që ta japim provimin tonë.

“Ju sigurojë se te shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë mungesë të atyre që do të mendojnë për fatin e vet, për të drejtën e vet në të gjitha kohërat. Edhe sot i kemi kohëra të ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi po synohet të kthehet në pazare të reja politike dhe kjo është e padrejtë të ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj, ka siguruar se mënyra e vetme që të përmbyllet një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e viti 1999 e cila i ka lënë Kosovës shumë plagë, masakra, njerëz të vrarë, shkatërrime e edhe këtë objekt të djegur, është një pajtim mes shqiptarëve e serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve.

Para të pranishmëve një fjalë në Akademinë solemne e mbajti edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të komit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtetformim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se Lidhja e Prizrenit, ishte lëvizja e parë e madhe shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që nga koha e Skënderbeut të madh.

Derisa në Seancën Solemne të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se sot në kryeqytetin historik të shqiptarëve jemi bashkë sepse 140 vjet më parë në këtë vend ku po qëndrojmë sot u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare mbi të cilët qëndronte një barrë e madhe.

“Në këto rrethana të rënda burrat e mbledhur në Prizren, kishin dy sfida të rënda historike, të dëshmonin para fuqive të mëdha evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar, njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike”, tha kryetari Veseli.

Të pranishëm në seancë ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, zëvendëskryeministra, ministra dhe shumë personalitete tjera të jetës të politikës dhe të komunitetit fetar.

 

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)