28 Mars 2024

Marrëveshja e linjës Prishtinë - Beograd është negociuar në një terr informativ

Prishtinë, 22 janar - Dje u bë publike se u nënshkrua një marrëveshje midis autoriteteve kosovare dhe serbe për rikthimin e fluturimeve ajrore Beograd - Prishtinë për të cilën sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) qytetarët e Kosovës nuk ishin informuar fare sikur që nuk u bë publike as përmbajtja e marrëveshjes së nënshkruar.

Për këtë marrëveshje u deklaruan edhe autoritetet e BE-së se nuk kanë qenë të informuara dhe se nga shtypi  pasi u nënshkrua marrëveshja) kuptuan për të.

KMDLNJ konsideron se kjo marrëveshje është negociuar në një terr informativ për qytetarët e Kosovës duke dhunuar në këtë mënyrë vlerat elementare të demokracisë siç janë transparenca dhe llogaridhënia.

 Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje krejtësisht jotransparente u adresua si arritje historike dhe si angazhim i madh i ambasadorit Grenell dhe vet presidentit Tramp e që pastaj edhe i morën meritat.

Udhëheqësit kosovarë, të informuar apo të painformuar për këtë marrëveshje gjithashtu e cilësuan si arritje historike, duket pa e ditur përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje duke rënë në provim në sigurimin e transparencës për qytetarët me votat e të cilëve edhe janë zgjedhur.

Tash, ka dyshime se kjo marrëveshje nuk e njeh apo e kundërshton shtetësinë e Kosovës e që edhe mund të jetë e saktë mirëpo, është edhe më e saktë dhe më e rëndësishme se qytetarët e Kosovës janë vënë para aktit të kryer me këtë marrëveshje të mbajtur në terr të plotë, qoftë nga ndërkombëtarët, qoftë nga një grusht i politikanëve të vendit, të papërgjegjshëm dhe të pasinqertë para qyetatarit!

Bisedimet për normalizimin e marëdhënieve me Serbinë për KMDLNj –në janë të domosdoshme dhe nuk ka alternativë tjetër vetëm në rast se këto zhvillohen si bisedimeve midis dy palëve, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në baza krejtësisht të barabarta e që nuk ka ndodhur deri më tani.

"Jemi dëshmitarë se  me çfarë probleme përballen qytetarët e Kosovës apo bashkatdhetarët që udhëtojnë në Kosovë përmes Serbisë, që nga pritja deri në 10 orë në kufirin mes dy shteteve në Merdarë apo pikë tjetër kufitare, plaçkitjen nga policia serbe dhe qytetarët serbë, dëmtimi i qëllimshëm i veturave, konfiskimi i pasaportave për kthimin e të cilave kërkohen shumë para, dhuna fizike e deri te arrestimi dhe mbajtja në burgjet e Serbisë:, thekson KMDLNJ.

KMDLNj mendon se, së pari është dashur të rregullohet trafiku në rrugë përmes respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel për të kaluar pastaj në hekurudha dhe fluturimet ajrore!

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, pa u njoftuar fare qytetarët e Kosovës tregon qartazi se bisedimet nuk janë ndërprerë asnjëherë por se ato kanë qenë të përqëndruara në disa persona  dhe se ekziston një marrëveshje qoftë edhe si draft i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë e cila pa iu nënshtruar një debati publik do t’iu serviret qytetarëve të Kosovës, pa pasur mundësi të kontribuojnë në përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Duket se arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë është e afatizuar dhe  se ndërlidhet me zgjedhjet në SHBA.

Kosova duhet të bëjë negociata vetëm si palë e barabartë, negociata të pakushtëzuara në ndërkohë që Serbia çdo vazhdim të bisedimeve po e kushtëzon me heqjen e taksës 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe që duket se pikërisht marrëveshja për rikthim të fluturimeve Beograd -  Prishtinë do të jetë përcaktuese për heqjen e taksës.

KMDLNj konsideron se bisedimet kanë shkuar aq larg saqë kemi hyrë në një rrugë të pakthyeshme dhe se Qeveria në ardhje e Kosovës, më shumë do të merret me pasojat e kësaj marrëveshjeje se që do të ketë mundësi të ndikojë në përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

 Qytetarët e Kosovës duhet të këmbëngulin që marrëveshja apo marrëveshjet, para se të nënshkruhen, të bëhen publike sepse e përcaktojnë fatin e çdo qytetari dhe vendit ku jetojnë. Kur të nënshkruhen marrëveshjet ndërkombëtare, merren obligime ndërkombëtare për zbatim të këtyre marrëveshjeve pavarësisht se cila parti është në pushtet.

KMDLNj kundërshton çdo marrëveshje që nuk është transparente sikur edhe çdo veprim që na vendosin para aktit të kryer sikur që i sheh me shumë dyshime dhe joserioze cilësimet  “marrëveshje historike “.

KMDLNj konstaton se edhe marrëveshjet e nënshkruara më parë nuk kanë siguruar lirinë e lëvizjes së qytetarëve, qarkullimin e lirë të mallrave dhe ideve, bashkëpunim në fushën e luftimit të krimit të organizuar, detyrimin për të bashkëpunuar në fushën e hetimeve dhe gjykimeve të rasteve  të krimeve të luftës sikur që nuk kanë siguruar as përmbushjen e të drejtave elementare të njeriut, sigurimin e informatave për fatin e personave që konsiderohen të zhdukur!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)